Mijëra punëtore morën pjesë në grevë në të gjithë Francën, duke protestuar kundër planit të qeverisë për të rritur moshën e pensionit në 64 vjeç. Protestat janë një provë vendimtare për presidentin Emmanuel Macron, i cili tha të martën se reforma e pensioneve, megjithëse e papëlqyeshme në sondazhe, ishte një masë “e drejtë dhe e përgjegjshme” që duhet zbatuar. Qytetarët nuk janë dakord.
“Duhet të rriten pagat dhe pensionet, jo mosha e daljes në pension”, shkruhej në një pankartë të madhe të mbajtur nga njerëzit në krye të marshimit në qytetin e Tours. “Nuk e përballoj dot punën time tani nëse reforma vihet në zbatim”, tha 53-vjeçarja Isabelle, duke shpjeguar se puna e saj është shumë e rëndë dhe nuk mund të vazhdojë ta bëjë edhe për dy vjet të tjera pasi të mbushë 62 vjeç.
Qindra mijëra morën pjesë në protestat në të gjithë vendin, sipas gazetës Le Monde bazuar në vlerësimet e policisë. Në Nice, në Francën jugore, një pankartë e madhe shkruhej “Jo reformës”.
Në Paris, policia përdori gaz lotsjellës në periferi të demonstratës kur njerëz me kapuç të veshur me të zeza hodhën objekte të ndryshme drejt tyre. Rreth 20 persona u arrestuan, raportoi BFM TV.
Sindikatat, të cilët pritet të shpallin greva dhe demonstrata të tjera më vonë sonte, thonë se sot ishte vetëm fillimi.
Në grevë sot morën pjesë makinistët, mësuesit, punëtorët e rafinerisë, shoferët e autobusëve, nëpunësit civilë dhe pothuajse 45% e stafit të ndërmarrjes elektrike EDF. Stacioni radio France Inter luajti muzikë në vend të programit të tij të zakonshëm.
Në Paris, disa stacione të metrosë mbetën të mbyllura dhe udhëtimi ishte shumë i vështirë. Stacioni i ngarkuar i trenit Gare de Norte ishte i mbushur me njerëz, me pasagjerë që përpiqeshin të hipnin në trenat e paktë që ende funksiononin.
Beverley Gaine, e cila punon në një restorant, por nuk shkoi në punë sepse treni i saj ishte anuluar, tha se pajtohet me grevën, edhe nëse nuk merr pjesë. Por të tjerët nuk kishin të njëjtin mendim. “Gjithmonë të njëjtët njerëz godasin dhe ne duhet ta durojmë,” tha Virginie Pinto, e cila punon në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Sipas sindikatave, 7 nga 10 mësues morën pjesë në grevë, megjithatë Ministria e Arsimit dha shifra më të ulëta.
Në Paris, studentët bojkotuan të paktën një shkollë të mesme në mbështetje të grevistëve. /abcnews.al