Franca kthen në ligj luftën kundër “fake news”

schedule08:30 - 23 Nëntor, 2018

schedule 08:30 - 23 Nëntor, 2018

Franca do të ndalojë me ligj lajmet e pavërteta, të njohura si “Fake news”. Ligji i presidentit Makron, që u miratua nga parlamenti, parashikon burg dhe gjoba për ata që keqinformojnë. Por kritikët po e shohin atë si një armë për te censuruar mediat.

Parlamenti francez ka miratuar një ligj të ri, që u jep gjyqtarëve më shumë kompetenca për të urdhëruar heqjen e lajmeve të rreme gjatë fushatave elektorale. Kritikët argumentojnë se ligji kontradiktor kundër manipulimit të informacionit, në praktikë mund të vërë në rrezik demokracinë dhe të censurojë shtypin. Ligji, i hartuar nga presidenti Emanuel Makron, ishte hedhur dy herë poshtë nga Senati përpara se të miratohej nga Parlamenti. Ai konsiderohet si përpjekja e parë e Europës perëndimore për të ndaluar publikimin e materialeve të falsifikuara. Makron ka deklaruar se beson se përdorimi i internetit ka nevojë për një rregullore. “Ky është kushti bazë për një internet të hapur, të lirë dhe të sigurtë, ashtu sikurse ishte vizionuar nga themeluesit e tij”, tha Makron në forumin vjetor për qeverisjen e internetit, të mbajtur në Paris.

Kandidatët dhe partitë politike tani do të mund t’i drejtohen gjykatës për të ndaluar përhapjen e informacioneve të rreme gjatë 3 muajve përpara zgjedhjeve. Ligji i lejon gjithashtu entit rregullator mediatik francez të ushtrojë autoritetin për të pezulluar transmetimin e kanaleve televizive të kontrolluara nga një shtet i huaj, që përmes keqinformimit synojnë cënimin e procesit zgjedhor. Mbështetësit kanë deklaruar se synimi i ligjit është të luftojë përhapjen e atyre që njihen si “fake neës” dhe jo të censurojë opinionin. Kushdo që e shkel atë mund të përballet me 1 vit burg dhe një gjobë që shkon deri në 75 mijë euro./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!