Qeveria franceze po përshpejton procesin e mbi 700 kërkesave për shtetësi nga punonjësit emigrantë të vijës së parë në betejën kundër COVID-19.
“Punonjësit e kujdesit shëndetësor, sanitarët, punonjësit e kujdesit për fëmijët dhe nëpunësit e dyqaneve … ata kanë treguar përkushtimin e tyre ndaj kombit. Tani i takon Republikës të bëjë një hap drejt tyre”, shkruhet në një deklaratë të lëshuar të martën nga Ministrja Franceze për Shtetësinë, Marlene Schiappa.
Franca ka regjistruar deri më tani 2.5 milionë raste të konfirmuara me koronavirus dhe 61,702 viktima.
Aplikimet për nënshtetësi franceze mund të duhen vite për t’u përfunduar dhe pandemia globale ka shkaktuar vonesa të mëtejshme në përpunimin e dokumenteve. Në shtator, ndërsa Franca po përgatitej për një valë të dytë të pandemisë, qeveria kërkoi nga zyrtarët rajonalë “të lehtësojnë” dhe “përshpejtojnë” procesin e natyralizimit për punonjësit e huaj që ishin pjesë e luftës kundër COVID-19.
Në tre muaj, më shumë se 70 aplikantë kanë fituar shtetësinë përmes shërbimit të tyre dhe gati 700 janë në fazat e fundit të marrjes së nënshtetësisë, tha Schiappa. Gjithsej 2.890 persona kanë aplikuar deri më tani./abcnews.al