Fotoja ikonë e një babai me një xhaketë portokalli duke mbajtur dorën e vajzës së tij pasi ajo ndërroi jetë në tërmetin e 6 shkurtit në Turqi, është bërë virale në të gjithë botën.
Rreth tre javë pas katastrofës që vrau më shumë se 44,300 njerëz në Turqi dhe mijëra të tjerë në Sirinë fqinje, fotografi i AFP-së Adem Altan “gjurmoi” Mesut Hançer në kryeqytetin Ankara. Ai ishte zhvendosur atje nga Kahramanmaraş, epiqendra e tërmeteve, shkruan abcnews.al.
Krahas vajzës së tij, të cilën e humbi nën rrënojat e një pallati tetëkatësh, “Në tërmet humba nënën, vëllezërit, nipat”, tha Hançer. “Por asgjë nuk krahasohet me varrosjen e një fëmije. Dhimbja është e papërshkrueshme.”
Imazhi i Hançerit i veshur me një xhaketë portokalli, i ulur në të ftohtë dhe në shi, ndërsa mbante dorën e së bijës teksa dilte nga nën rrënoja, u publikua në faqet e para të shumë gazetave dhe u pa miliona herë në internet.
Ai u bë një simbol i një fatkeqësie që shkatërroi dhjetëra mijëra jetë, duke tërhequr vëmendjen e veçantë te familja e tij, shkruan abcnews.al.
Tani, një biznesmen i ka ofruar ish-bukëpjekësit një punë administrative dhe i ka dhënë familjes një apartament në Ankara. Ndërkohë, në dhomën e tyre të ndenjjes është varur një pikturë e vajzës së Hançerit, Irmak si engjëll përkrah të atit, dhuruar nga një artist.
“Nuk ia lëshoja dot dorën. Vajza ime po flinte si një engjëll në shtratin e saj,” kujton ai.
Hançer ishte duke punuar në furrën e tij kur tërmeti goditi në orën 4:17 të mëngjesit (0117 GMT) më 6 shkurt. Duke thirrur në shtëpi, ai gjeti gruan dhe tre fëmijët e tij të rritur të sigurt në shtëpinë e tyre njëkatëshe.
Por askush nuk mundi të arrinte Irmakun, më të voglën, që kishte qëndruar natën në shtëpinë e gjyshes. Ajo kishte planifikuar të kalonte kohë me kushërinjtë që vizitonin nga Stambolli dhe Hataj, shkruan abcnews.al.
Duke nxituar drejt ndërtesës së nënës së tij, Hançer gjeti bllokun tetëkatësh të shembur në një grumbull gërmadhash. Vajza e tij ishte në mes mbetjeve.
Përpara se të mbërrinte një ekip shpëtimi, Hançer dhe banorë të tjerë vendas u përpoqën të gjenin vetë të dashurit e tyre nën rrënoja, madje u përpoqën dhe dështuan të zhvendosnin blloqet e betonit me dorë.
Në pamundësi për të rimarrë trupin e Irmakut, ai qëndroi pranë saj.
“E mbajta për dore, i përkëdhela flokët, i putha faqet”, kujton ai.
Më vonë pa Adem Altanin duke fotografuar vendin e ngjarjes.
“Bëni fotot e fëmijës tim,” tha ai me një zë të qetë dhe të thyer./abcnews.al