Disa prej kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, kanë reflektuar pas mbledhjes online të zhvilluar pasditen e djeshme me kreun e qeverisë Edi Rama, për të kërkuar vota për Partinë Socialiste dhe jo në emër të tyre.
Në afatin kohor prej 11-12 orësh e deri më tani disa prej kandidatëve kanë ndryshuar logot zgjedhore në profilin e tyre. Abcnews.al bëri një kërkim në profilet e socialistëve të cilët nga sot në ballin e parë të faqes së tyre kanë logon e partisë me numrin 12.
Emra të njohur në PS si Evis Kushi, Olta Xhaçka, Milva Ekonomi, por edhe emra të tjerë si Gerta Duraku, Ilir Ndraxhi dhe Klajdi Qama kanë vendosur në kopertinën e tyre të njëjtën foto, me logon, sloganin dhe numrin e PS në fletën e votimit.
Nga nisja e fushatës e deri ditën e djeshme, disa figura që kandidojnë për një mandate deputeti nën siglën e PS, kishin kërkuar vota për numrin dhe emrin e tyre. Kjo solli mbledhjen urgjente të PS ditën e djeshme ku kreu I qeverisë ndau porositë për të arritur objektin më 25 Prill./mv.abcnews.al