Personi në foto është 48-vjeçari Kamber Sulçaj, autor i dyshuar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi. Ngjarja kjo e ndodhur më 26 shtatorit në Salari të Tepelenës.
48-vjeçari është shpallur në kërkim nga policia, pasi hetimet çuan në zbardhjen e krimit të rëndë dhe dinamikën e vrasjes së biznesmenit italian.
Nga hetimet dyshohet se 48-vjeçari, fillimisht është konfliktuar verbalisht, për motive të dobëta, me italianin dhe me personat që shoqëronin këtë të fundit.
Më pas Kamber Sulçaj dyshohet se ka qëlluar me armë me vjaska, në drejtim të këtyre shtetasve dhe automjeteve të tyre, në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën 44-vjeçari.
Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në një stan në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë, automjetin dhe veshjet që dyshohet se ka përdorur 48-vjeçari, gjatë kryerjes së krimit.
Gjithashtu në këtë zonë, u gjet e hedhur në shkurre, një çantë, në të cilën ishin 1 palë dylbi me rreze infra, 1 palë dylbi termike, 1 mbajtëse arme dhe 1 elektrik dore.
Kontrolle pati dhe në banesën e 48-vjeçarit dhe të familjarëve të tij, në fshatin Mesaplik dhe në Vlorë. Policia thotë se gjeti rreth 2 500 000 lekë (në valutat lekë dhe euro), 3 armë gjahu me municion luftarak (saçme dhe vjaska), 450 fara të dyshuara Cannabisi dhe 2 kasaforta (të mbyllura).

(Kamber Sulçaj)

