Artisti britanik i rrugës, Banksy, ka konfirmuar për The Art Newspaper se ka krijuar shtatë murale në vende të ndryshme në Ukrainë, përfshirë kryeqytetin Kiev, periferinë e Irpinit dhe qytetin Borodjanka, që njëherësh janë ndër vendet më të goditura nga bombardimet ruse.
Artisti ka hyrë në Ukrainë mes luftës së vazhdueshme të Rusisë atje.
Banksy ka publikuar në llogarinë e tij në Instagram një prej muraleve të tij me mbishkrimin “Borodyanka, Ukraine”.
Murali, që tregon një burrë duke larë shpinën në një vaskë, është në katin përdhes të asaj që ka mbetur nga një bllok ndërtesash banimi, të goditur nga sulmet ruse në mars, në Horenka – pjesa veriperëndimore e Kievit.
Teksa po shkojnë kah një dimër i ftohtë, banorët thonë se e vlerësojnë një banjë të ngrohtë në një mural të pikturuar nga artisti i grafiteve, Banksy.
“Për mua do të thotë t’i lash të gjitha papastërtitë. Fëlliqësia e Federatës Ruse…”, tha Tetiana Reznychenko, 43 vjeçe, për Reuters ndërsa bora binte rreth saj.
“Dhe ky vizatim më bën të ndihem sikur jam pastruar nga papastërtitë që na kanë rënë”.
Reznychenko tha se i kishte dhënë ekipit të Banksyt një filxhan kafe në banesën e saj, pasi ishte ftohtë kur artisti erdhi për të pikturuar muralin. Tetiana Reznychenko ka një stufë në banesë, por nuk ka rrymë, ngrohje apo ujë të rrjedhshëm.
“Dimri ka filluar dhe ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më pas. Zjarrfikësit na sollën ujë jo të pijshëm… por ai do të ngrihet nëse nuk e fusim brenda”, tha ajo.
Vepra tjetër është një mural i një gjimnaste që qëndron mbi një dorë – në rrënojat e një ndërtese të bombarduar në Borodjanka, rreth 54 km në veriperëndim të Kievit.
Forcat ruse e sulmuan dhe pushtuan Borodjankën në fillim të luftës. Ato bombarduan shumë zona civile, ndërsa kur ikën javë më vonë, lanë pas gjurmë vdekjeje dhe shkatërrimi.
Një tjetër vepër arti në rrugë nga Banksy tregon figurat e dy fëmijëve që përdorin një kurth metalik si kolovajzë. Më shumë se 8.300 civilë, në mesin e tyre 437 fëmijë, janë vrarë deri më tani në luftën e Rusisë në Ukrainë, thanë autoritetet në Kiev më 20 nëntor.
Kombet e Bashkuara kanë dokumentuar 7.8 milionë njerëz si refugjatë nga Ukraina në të gjithë Evropën, përfshirë Rusinë. Ndërtesat e shkatërruara, të shembura dhe të djegura të qytetit u bënë disa nga imazhet më të përhapura të dëmeve materiale, të shkaktuara nga ushtria ruse.
Banksy shfrytëzoi mjeshtërisht pjesë muresh të parrënuara për të ngritur të mbijetuarën me artin e tij. Sipër një vrime të madhe të shkaktuar nga bombardimi qëndron triumfalisht figura e një vajze akrobate.
Banksy konsiderohet si një nga artistët më misterioz të kohës sonë. Është ende e paqartë se kush fshihet nën këtë pseudonim. Ai u bë i njohur në gjithë botën falë veprave të tij satirike të artit të rrugës dhe grafiteve. Veprat e tij kanë një ngjyrim të theksuar social-politik.
Veprat e reja janë muralet e para publike të Banksyt në më shumë se një vit, megjithëse kjo nuk është hera e parë që puna e tij lidhet me Ukrainën.
Në mars, një printim i një prej pjesëve të tij më të famshme kundër luftës, CND Soldiers, u shit në ankand, duke mbledhur 106.505 dollarë për një spital për fëmijë në Kiev. Murali origjinal ishte shfaqur për herë të parë jashtë dhomave të Parlamentit në Londër në vitin 2003, gjatë protestave kundër luftës në Irak. /REL/