FOTO/ 13 milion euro “gropë”, si u zbulua skema e fajdeve në Shkodër

schedule14:58 - 14 Tetor, 2019

schedule 14:58 - 14 Tetor, 2019

Që prej janarit të këtij viti e deri më tani, emrat e Elton dhe Robert Radovanit kanë qenë në krye të listës së të kërkuarve nga Interpoli Ndërkombëtar.

Operacione për kapjen e tyre në Shqipëri nuk janë ndërmarrë asnjëherë, sepse autoritetet shqiptare e kanë pasur të saktë informacionin, se ata kishin dalë nga vendi që në momentin e parë kur mësuan se ndaj tyre ishte përpiluar një masë arresti me burg.

Dy djemtë e ish-prefektit të Shkodrës Paulin Radovani ishin përfshirë në një skemë mashtrimi, e zbuluar nga Policia pas operacionit të koduar “Maranaj”, ose e njohur ndryshme si dosja e fajdexhinjve.

Pamje nga arrestimi i Elton Radovanit në Paraguaj

Në fakt, ky operacion nuk ka qenë indicia policore, apo informacion në rrugë operative. Denoncimi është kryer nga vetë ish-prefekti, që vendosi në atë kohë të denoncojë dy djemtë e tij për mashtrim. Ai nuk mund të përballej më me borxhlinjtë që thuajse çdo ditë i kërkonin paratë dhe po e çonin drejt falimentimit.

Bëhej fjalë për një shumë prej 8 milion euro nga Elton Radovani dhe 5 milion euro të tjera nga djali tjetër Roberti, para, që sipas Policisë janë përdorur në baste e bixhoze brenda dhe jashtë vendit.

Pamje nga arrestimi i Elton Radovanit në Paraguaj

Në atë kohë, kur edhe u krye operacioni Policia sekuestroi 20 makina, qindra mijëra euro, 50 celularë dhe dokumente që sipas njoftimit zyrtar, grupi iu kishte marrë borxhlinjve. Dy djemtë e ish-prefektit të Shkodrës, një prej të cilëve edhe anëtar në këshillin bashkiak kishin marrë hua shuma të mëdha parash tek persona të ndryshëm në Shkodër me një përqindje që varion nga 3-20%, siç bën të ditur Prokuroria e Shkodrës.

Në skemën e fajdeve nuk ishin vetëm persona me precedent penalë. Lista e personave që u kidhin dhënë para me fajde Elton dhe Robert Radovanit përbëhej nga ish-kancelarë gjykate, policë dhe noterë dhe deri tek ish-drejtori i Patentave në Shkodër.

Pamje nga arrestimi i Elton Radovanit në Paraguaj

Ndërkohë, hetimet ende nuk janë mbyllur. Në muajin mars, ku përfundoi hetimi sipas ligjit prej tre muajsh, prokurorët kërkuan sërish kohë, duke vlerësuar se duhej më shumë kohë për të verifikuar gjithçka lidhej me këtë grup kriminal.

BËHUNI PJESË E GRUPIT TË ABC NEWS NË FACEBOOK

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!