Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç janë përplasur në forumin e Bratisllavës. Presidenti i Kosovës e akuzoi Serbinë për qëndrim pengues, me pasojë bllokimin e dialogut mes dy vendeve.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai serb Aleksandar Vuçiç janë përplasur në debatin e zhvilluar në forumin e sigurisë globale të mbajtur në Bratisllave. I pari ka qenë presidenti Thaçi që ka akuzuar Serbinë se po pengon dialogun dypalësh të ndërmjetësuar nga Brukseli dhe rrjedhimisht arritjen e një marrëveshjeje. “Ne duam një marrëveshje me Serbinë që do të sillte një njohje reciproke, pa kufij me vija etnike, që do të sillte anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe njohjen nga 5 vendet e BE-së, përfshirë Sllovakinë”, ka thënë Thaçi. Por kjo sipas tij nuk mund të arrihet me qasjen penguese të Beogradit, që deri më sot ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe UNESCO.
Megjithatë, Thaçi ka shprehur besimin e tij se, samiti i ardhshëm i Parisit do të ishte një mundësi shumë e mirë për të bërë hapa konkretë në këtë drejtim. Nga ana tjetër, presidenti Vuçiç ka deklaruar se çështja e Kosovës ka ngelur tek aspekti i ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve.
“Kudo që shkon, e vetmja çështje është nëse do të ndodhë ndarja e Kosovës apo do të ketë shkëmbim territoresh, por askush nuk pyet nëse do të arrihet një marrëveshje që do të rregullonte marrëdhënien mes serbëve dhe shqiptarëve”, ka thënë Vuçiç. Ai ka shtuar se situata nuk është ndër më të mirat dhe është shprehur pesimist sa i përket së ardhmes. “Por të gjithë duhet të angazhohen për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon dhe për të gjetur një zgjidhje të mundshme”, ka shtuar Vuçiç./ABC News Albania 24/7