Formula 1, Verstapen i lumtur pas spektaklit në çmimin e madh të Gjermanisë

schedule14:52 - 29 Korrik, 2019

schedule 14:52 - 29 Korrik, 2019

Çmimi i Madh i Gjermanisë ishte një nga garat më të bukura të Formula 1, vitet e fundit. Holandezi Verstapen u shpreh i lumtur për fitoren, ndërsa kampion i botës, Hamilton, mbeti pozitiv

Çfarë duhet që ky sport të mos jetë i mërzitshëm?

Përgjigje e sigurt është: Mot me shi, mundësisht i paqëndrueshëm.

Në kushte të tilla, Formula 1 është e paparashikueshme, thellësisht emocionuese, ndonëse për fat jo e rrezikshme për jetën, pas masave të rrepta të sigurisë të vendosura prej vitesh.

I tillë, Çmimi i Madh i Gjermanisë në pistën e lavdishme të Hokenhajmit, ku përmbysjet ishin kaq të mëdha, për përfundimi krejtësisht i papritur.

Si mund të ndodhë që Red Bulli i Verstapenit të dominojë për shumicën e xhirove, apo që Sebastian Feteli në krizë prej muajsh të niset i fundit e të dalë i dyti?

Çfarë ngjau që Mercedesi i plotfuqishëm mezi të marrë një pikë, edhe pse ishte në garën e shtëpisë?

Gara nisi me reshje dhe pistë të mbushur me ujë, vazhdoi me tharje të ndjeshme të asfaltit, më pas shiu u rikthye, ndërsa në pjesën e fundit, u pakësua.

Verstapen, që pati start të keq, arriti të rikuperonte, të mbetej gjithnjë pranë kreut, dhe Red Bulli për fat mori vendimet e duhura, duke arritur suksesin.

Fitorja ishte e mrekullueshme, – u shpreh holandezi, – gjithsesi, ishte shumë e vështirë dhe e rrezikshme. Morëm vendimet e duhura, dhe u desh të ishim të përqendruar plotësisht. Gjithë puna ishte të bënim sa më pak gabime në ato kushte. Mesa duket, po mësoj nga përvoja e kaluar, dhe mund të them se jam shumë i lumtur nga paraqitja ime dhe e skuadrës. Duhen edhe 10 gara deri në fund të sezonit, dhe teorikisht unë kam shanse për titull, por le të mos flasim para kohe. Hamiltoni është në pozicion shumë të favorshëm për të fituar”.

Mercedesi ishte humbësi i madh në Hokenhajm, ndonëse dështimi ishte vetëm për një ditë.

Në renditjen e përgjithshme, asgjë nuk ndryshoi për skuadrën gjermane, aq më pak për kryesuesin Ljuis Hamilton.

Rivalët e Ferrarit dhe Red Bullit janë relativisht larg, ndërsa ndjekësi i tij më i afërt, shoku i skuadrës Valteri Botas, doli nga gara.

Kampioni i botës e rriti me 1 pikë epërsinë në krye të renditjes.

“Ishte një fundjavë që na vuri në një sprovë të madhe, – tha Hamiltoni më pas, – gjithsesi, duke qenë i sëmurë para garës, kuptova edhe një herë se shëndeti është gjëja kryesore. Tani, unë arrij t’i kuptoj ata njerëz që janë të sëmurë nëpër spitale. Ishte një garë e vështirë, sidomos për shkak të motit. Për fat të keq, bëmë disa gabime që na kushtuan. Nuk ka kuptim të gjejmë fajtorë, sepse ne fitojmë dhe humbasim së bashku. Ishte vetëm një garë, dhe ne mbetemi të bashkuar e shikojmë përpara”.

U desh një ore e 45 minuta që të mbyllej kjo garë, me Verstapenin në krye, Fetelin të dytin dhe rusin Kviat të tretin.

Kur duhen edhe 10 konkurrime deri në fund, Hamilton kryeson me 225 pikë, 41 pikë më shumë se Valteri Botas, gjithashtu i Mercedesit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!