Roma dhe Manchester United zhvilluan një tjetër ndeshje të bukur dhe plot gola. Verdhekuqtë fituan 3-2 në “Olimpico” mbrëmjen e kaluar, por në finalen e Europa League kaluan “Djajtë e Kuq” falë suksesit 6-2 në sfidën e parë.
Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer analizoi humbjen e ëmbël, teksa homologu i tij, Paulo Fonseca, i cili do të largohet nga Roma në fund të sezonit për t’ia dorëzuar skuadrën Jose Mourinhos, shpreson të vijojë karrierën në Serie A.
SOLSKJAER – “Detyra ime është t’i sjell trofe klubit. E dinim që do të ishte një ndeshje e hapur, Romës i duheshin shumë gola, por më vjen keq për rastet e shumta që u lejuam atyre. Fitorja e thellë në ndeshjen e parë ndikoi, por ekipi im duhet të luajë më mirë se kaq. Tani na pret finalja ndaj Villareal, një ekip i shkëlqyer. Uroj të shpallemi ne fituesit”.
FONSECA – “E humbëm në ndeshjen e parë mundësinë për t’u kualifikuar. Luajtëm një ndeshje të mirë në Olimpico, pjesa e parë ishte shumë pozitive. Ka qenë një kënaqësi e madhe për mua fakti që kam drejtuar Romën, krenari që kam punuar në Serie A.
Kam mësuar shumë në Itali, do të më pëlqente të vijoja të punoja në këtë vend. Më pëlqen futbolli italian, por nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, të shohim”. /abcnews.al