Merkato e Tiranës për momentin është fokusuar te talentet dhe investimi për të ardhmen. Pasi i dhuruan kontratat e para zyrtare 5 lojtarëve të Akademisë pak ditë më parë, bardheblutë kanë zyrtarizuar dy prurje të tjera në ekipin e parë.
Omar Musaj dhe Marvin Kodra janë prodhime të moshave dhe ditën e sotme kanë bërë hapin e madh, duke kaluar në ekipin e Emmanuel Egbo. I pari është 18 vjeç dhe aktivizohet në rolin e mbrojtësit.
Një vit më i madh është Kodra, i cili luan si portier. “Klubi i Futbollit Tirana njofton dy afrime të reja nga Akademia e Futbollit Tirana. Mbrojtësi i majtë Omar Musaj dhe portieri Marvin Kodra zyrtarizuan sot bashkimin e tyre me ekipin e parë për sezonin e ri.
Mbrojtësi 18 vjeçar dhe ‘gardiani’ shtatlartë vijnë si një përforcim i mirë për skuadrën. I urojmë suksese me fanellën bardheblu“, lexohet në komunikatën e 25 herë kampionëve të Shqipërisë. /abcnews.al


