Fondi Monetar Ndërkombëtar ka nënvizuar edhe njëherë rrezikshmërinë për ekonominë shqiptare të kontratave me Partneritet Publik Privat. Duke përshendetur vullnetin e qeverisë për ndalimin e kësaj praktike, FMN në raportin e fundit shkruan se në buxhetin e 2019, parashikohet një listë e PPP-ve potenciale, sa 15% e prodhimit të brendshëm bruto të vendit.
Të hartuara dobët dhe me risk të lartë. Kështu i sheh fondi ndërkombëtar ndërkombëtar kontratat me partneritet publik privat. Në raportin e publikuar së fundi për Shqipërinë shprehet shqetësimi për shifrat në rritje në raport me GDP.
“Rritja e shpejtë e PPP ka shtuar edhe risqet fiskale dhe stafi propozoi hapa të mëtejshëm për të kontolluar këtë aspekt. Përveç stokut ekzistues të PPP-ve prej 31 për qind e GDP-së (që mbulon më shumë se 220 projekte përfshirë koncesionaet në energji me më shumë se 23 pikë përqindje) në buxhetin e 2019 dokumentet parashikojnë një listë të PPP-ve potenciale që arrinin në 15 për qind të GDP-së”.
Borxhi publik është i lartë, “ndërsa niveli i ulët i kursimeve të brendshme dhe mungesa e investitorëve të mëdhenj institucionalë e rrit varësinë ndaj burimeve të huaja të financimit – vëren Fondi Monetar Ndërkombëtar sipas të cilit Rritja e varësisë nga PPP-të për projektet e infrastrukturës ka rezultuar në shtimin e detyrimeve potenciale. Rreziqet e brendshme gjithashtu përfshijnë ndikimin e thatësirës në prodhimin e energjisë, duke krijuar risqe për buxhetin.
Fondi vlerësuar pozitivisht ndryshimet në ligjin për parneritetin publik privat.
“FMN mirëpriti ndryshimet e planifikuara në legjislacionin e PPP për të rritur rolin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si një mbikqyrës për koston potenciale të PPP-ve si një hap i parë pozitiv. Do të ishte kritike që të sigurohet vlera e parave përmes një procesi ofertimi konkurrues për të gjithë projektet duke ndaluar kështu pranimin e ofertave të pakërkuar”.
Fondi Monetar Ndërkombëtar nënvizon gjithashtu rëndësinë për marrjen e masave për të mos krijuar më detyrime të prapambetura të cilat kanë arritur në 24.5 miliardë lekë (200 milionë euro) deri në shtator të vitit 2018.
Kjo shumë që është sa 1.5 për qind e PBB, dominohet nga borxhet e qeverisë qendrore me rreth 17 miliardë lekë dhe nga borxhet e qeverisë lokale me mbi 7 miliardë lekë. /abcnews.al