Fluturimet Kosovë- Serbi, gazetarja: Duhet parë nëse do të kemi plane të tjera

schedule08:14 - 21 Janar, 2020

schedule 08:14 - 21 Janar, 2020

Serbia dhe Kosova pritet të jenë të lidhura me linjë avioni pas më shumë se dy dekadash.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka reaguar në “Twitter” pas arritjes së marrëveshjes për kthimin e linjës së fluturimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të gjithë thanë se nuk mund të bëhet. Por, për herë të parë në një gjeneratë, do të ketë fluturime direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Duke iu falënderuar Ambasadorit Robert O’Brien dhe Ambasadorit Richard Grenell”, ka shkruar Trump në “Twitter”.

Në një lidhje për “Abc e mëngjesit” me Enkel Demin, gazetarja Blerta Dalloshi Berisha ka folur për linjën ajrore Kosovë – Serbi e cila sipas saj ka pasur një marrëveshje, por ende duhet pritur se çfarë do të vendoset më konkretisht.

“Për tu arritur një marrëveshje duhet dialoguar për të. Pra ka pasur një dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Por duhet të shohim se çfarë ka konkretisht në këtë marrëveshje sepse nuk shfrytëzohet hapësira ajrore e Serbisë. Duhet të shihet nëse në marrëveshje pëfshihen plane të tjera. Dialogu Prishtinë – Beograd po zhvendoset nga BE te Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe te Gjermania”, raportoi Blerta Dalloshi Berisha.

Serbia pati kushtëzuar edhe dialogun me taksën, por qeveria e ardhshme nëse bëhet nga Albin Kurti ka premtuar se do ta heqë taksën, por do të vendosë reciprocitet dhe mbetet për tu parë se si do të rrjedhin gjërat, u shpreh gazetarja për “ABC e mëngjesit”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!