Situata në Itali ende nuk po stabilizohet. Tashmë vendi fqinj mban vendin e parë në botë për sa i përket vdekjeve nga Covid-19 dhe ia ka kaluar dhe Kinës, vendi ku lindi dhe virusi vdekjeprurës.
Kryetari i sindikatës së futbollistëve, Damiano Tommasi, ka folur rreth situatës së krijuar, kur do të rinisë kampionati dhe nëse Italia do ta kalojë këtë moment të vështirë.
“Ende nuk e di se kur do të rinisë kampionati. Shpresoj që sa më shpejt, pasi sporti do të jetë ilaç për shumë njerëz në këto moment. Besoj se kur topi të nisë të lëvizë sërish, ai do të jetë moment kur do të mbarojë ky moment.
Një proverb kineze thotë, se nëse do të bësh Zotin të lumtur, tregoji atij planet e së ardhmes. Kjo është gjëja e vetme që ne mund të bëjmë tani”, tregon ish-futbollisti.
“Shpresoj që klubet të mos stërviten në këtë periudhë. Ata që besojnë që stërvitja tani është një avantazh, gabojnë. Kampionati me shumë mundësi do të rinisë pas dy muajsh dhe të stërvitesh tani është shumë e rrezikshme.
Shpresoj që ky virus të mos përhapet më. Duhet të qëndrojmë në shtëpi që të gjithë, në mënyrë që ta mposhtëm këtë armik”, vazhdon Tommasi.
“Deri më tani kemi biseduar me Federatën dhe besoj se pushimet në verë do të jenë më të shkurtra se zakonisht. Kjo nuk përbën një problem. Problemi qëndron te pagat dhe ende nuk dihet nëse ato do të ndërpriten apo reduktohen. Kjo mbetet për t’u parë”, mbyll numri 1 i sindikatës në Itali. /abcnews.al