Fleckenstein: Durim për vetingun

schedule15:30 - 2 Dhjetor, 2018

schedule 15:30 - 2 Dhjetor, 2018

Në një prononcim për ABC News, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein shprehet se nuk ka dyshim që Vettingu do të vijojë dhe postet vakante do të mbushen. Sipas tij, duhet durim, pasi problemet nuk mund të zgjidhen të gjitha njëkohësisht. Për Fleckenstein, nëse BE-ja nuk hap negociatat e anëtarësimit vitin e ardhshëm, kjo nuk do të ketë vetëm pasoja negative për rajonin, por edhe humbje të kredibilitetit të institucioneve europiane.

Pika 11 e rezolutës për Shqipërinë i referohet ngërçit në sistemin e drejtësisë. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e lartë s’janë funksionale. Prokurori i përkohshëm po luan rolin e prokurorit të përgjithshëm. Çfarë garancish keni marrë nga takimet që keni pasur këto ditë me përfaqësues të qeverisë dhe opozitës, që këto institucione do ngrihen para qershorit 2019?

Knut Fleckenstein, Eurodeputet: “Nuk kam dyshim, se procesi i Vettingut do të vazhdojë dhe se postet vakante do të mbushen. E kuptoj që është një situatë e vështirë, por kjo mund të ndodhë në një fazë të tillë tranzitore. Problemet nuk mund të zgjidhen të gjitha njëkohësisht. Duhet pak durim për këtë. Nga ana tjetër është absolutisht e nevojshme, që gjykatat dhe prokuroritë të funksionojnë dhe që këto poste vakante të mbushen”.

Cili është për ju mesazhi kyç i raportit për Shqipërinë?

Knut Fleckenstein, eurodeputet: “Mesazhi kyç për Shqipërinë është: Vazhdoni kështu, por ka gjithashtu disa pika, ku ne do të donim të shihnim më shumë rezultate. Por ishte një mesazh drejtuar gjithashtu Këshillit të ministrave, që ne i mbahemi vendimit tonë dhe mbështesim Komisionin Europian për hapjen e negociatave dhe kërkojmë që ato të hapen vitin e ardhshëm. Nëse kjo nuk ndodh, nuk do ketë rrjedhoja negative vetëm për rajonin, por edhe për institucionet europiane. Nëse ato nuk janë të besueshme, atëherë harroji ato”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!