Flamurtari është i kënaqur me fitoren ndaj Vllaznisë, por edhe me përforcimet që po merr për fazën e dytë të sezonit. Trajneri Duro vlerëson gjendjen e skuadrës.
Misioni i radhës u mbyll me sukses.
Flamurtari mundi Vllazninë 2-0 dhe nuk u lëkund në vendet e para të Superligës, ndërsa në fazën e dytë të sezonit pritet të jetë më i fortë.
Sulmi do të jetë reparti që përforcohet më shumë, por fillimisht trajneri Duro lavdëron ata lojtarë që ka në dispozicion.
“Jemi ndër skuadrat më të mira të kampionatit, kjo është pozitive”
Vëmendja e trajnerit ka qenë e ndarë në dy drejtime, në fushën e lojës ku zhvillohen ndeshjet, dhe tek transferimet, ku që tani janë siguruar dy sulmues, serbi Nedeljkoviç dhe maqedonasi Muarem.
Cilët janë dy sulmuesit e rinj të Flamurtarit?
Njëri është Muarem Muarem, 29-vjeçar me nënshtetësinë e Maqedonisë dhe që ka luajtur 7 ndeshje me ekipin përfaqësues.
Lojtari me origjinë turke, ka luajtur për Rabotniçkin në ligën maqedonase, Ordusporin dhe Eskishehirsporin në Turqi, Karabakun në Azerbajxhan dhe këtë sezon me Aktoben në Kazakistan.
Më herët, vlonjatët arritën akordin me sulmuesin serb, Igor Nedeljkoviç.
Njëzetegjashtëvjeçari ka luajtur për shumë vite në kampionatin maqedonas me Sileksin, ku edhe është njohur nga trajneri Duro, ndërsa më herët më pas me Sutjeskën dhe Çukariçkin në Superligën serbe.
Afrimi i tyre pritet të ndihmojë ekipin të shënojë më shumë gola, për të qenë më i sigurt të paktën për të zënë vendin e dytë në Superligë pas Skënderbeut./abcnews.al