Flamurtari do të ketë përballë në Superligë të njëjtin kundërshtar që e mundi në Kupë. Vlonjatët presin Skënderbeun në fushën e tyre, dhe kanë ambicie për sukses maksimal.
Gjendja është përmbysur për mirë. Flamurtari la pas krizën e rëndë të Superligës, me një fitore atje ku dukej e pamundur, në stadiumin e Skënderbeut, veçse këtë fillim jave do të ketë përballë sërish të njëjtën skuadër.
Nga Kupa e Shqipërisë, vlonjatët rikthehen në kampionat, aty ku ende nuk e kanë bërë kthesën, diçka për të cilën paralajmëron trajneri I vendasve, Shpëtim Duro.
Synimi kryesor mbetet kualifikimi për në Europë nga Kupa, sidomos pas fitores 1-0 në Korçë, por Duro nuk heq dorë për ta arritur edhe ndryshe.
Trajner me përvojë, Duro, e di mirë se që të fitosh në futboll duhet të kesh edhe fat.
Në ndeshjen që luhet këtë të hënë në orën 19:00 në Vlorë, Flamurtari do të ketë dy mungesa të sigurta, sulmuesin Bushiç ende të dëmtuar, dhe brazilianin Zhufo, të rikthyer në stërvitje, por jo në formën e duhur. /abcnews.al