Flamurtari-Kamza, trajnerët pretendonin më shumë

schedule16:38 - 16 Dhjetor, 2018

schedule 16:38 - 16 Dhjetor, 2018

Pati nerva në fushë, por jo polemika në ndeshjen mes Flamurtarit dhe Kamzës në Superligë. Asnjëri nga trajnerët nuk mbeti plotësisht i kënaqur.

Ishte me fat që nuk e mbylli me dhjetë lojtarë.

Flamurtari mund ta kishte pasur shumë më të vështirë fitoren ndaj Kamzës, nëse mbrojtësi i tij, Useini, do të kishte dalë me karton të kuq pas kapjes së kundërshtarit për fyti. Gjithsesi, rezultati final i sfidës së Superligës, ishte 1-0 për vendasit dhe në dëm të Kamzës, në një ndeshje ku trajnerët nuk bënë polemika, por as nuk u shprehën plotësisht të kënaqur. Tekniku vendas, Ilir Daja, u përpoq gjithsesi, ta shikonte gotën gjysmë plot.

“E rëndësishme sot ishte marrja e rezultatit sepse na pozicionon te ai grup që kemi dhe objektivat. Kushtet e terrenit, por edhe gjendja jo e mirë e Torasës dhe e Alves kemi nxjerrë 12 vetë në nxemje për të gjetur më të mirët e mundshëm që do u përshtasnin me terrenin. Vendosëm në fund fare të riskonim”, u shpreh trajneri Daja.

Trajneri tiranas shpreson për fat më të mirë përpara ndeshjes së fundit.

“Duke llogaritur dhe një ndeshje me Tiranën mendojmë që pas kësaj ndeshje të kemi kohën e duhur që gjithë grupi të punojë bashkë në mënyrë që pjesën tjetër të sezonit ta startojmë me të gjithë kontigjentin bashkë”, tha Daja.

Kolegu i tij, trajneri i Kamzës, Ernest Gjoka, u mërzit që nuk arriti të merrte pikën në Vlorë.

“Unë do isha i kënaqur që të kisha marrë diçka nga Flamurtari për faktin që isha përgatit. Mendoj që deri te rasti i golit kemi qenë shumë të ekuilibruar dhe nën kujdes, por një gabim që bëmë arriti ta shfrytëzojë mirë kundërshtari dhe arriti të bëjë gol. Gjithsesi rëndësi ka që të ecim para se lufta e fundit të tabelës është shumë e fortë”, tha Gjoka.

Ai ka edhe një këshillë në formë batute, për drejtuesit e Flamurtarit.

“Unë Ilirin e kam mik prej shumë kohësh. Kur unë punoja te Shkëndija me të rinjtë, ai punonte me të rinjtë e Dinamos. Me Ilirin kemi punuar shumë, kemi bashkëpunuar shumë dhe për mua është fat i madh që Vlora e ka dhe ishalla di ta mbajë”, tha Gjoka.

Ndeshja u vendos nga një gol i kapitenit vendas, Tomisllav Bushiç në minutën e 67-të, me Flamurtarin që i afrohet zonës europiane, dhe me Kamzën që mbetet në fund./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!