Teuta e Flamurtari arritën suksese të rëndësishëm në ndeshjet e javës së 11-të të Superligës. Durrsakët ia dolën ndaj Tiranës, ndërsa vlonjatët mposhtën Kukësin.
Rezultatet ishin identikë, por fitoret të ndryshme. Dramatike humbjet e Tiranës dhe Kukësit, madje me pasoja për objektivat, me Flamurtarin që e meritoi dhe Teutën që pati fat.
Kryeqytetasit e drejtuar nga trajneri Ardian Mema, do të mendohen gjatë për të kuptuar sesi e humbën ndeshjen e javës së 11-të të Superligës ndaj Teutës, kaq pranë fitores ishin gjatë gjithë kohës.
Tirana jo vetëm kaloi e para në avantazh me anë të Edon Hasanit, por edhe pati raste të shumtë, për të arritur një triumf të thellë në fushën asnjanëse të Shijakut.
Besohet se ishte loja më e mirë e bardhebluve këtë sezon, por ishin ata vetë që i prishën punë vetes. Humbën shanse të pastër, dhe u ndëshkuan pasi Ditmar Bicaj shënoi dy herë.
Me shumë përvojë, mbrojtësi i qendrës pati gjakftohtësinë e duhur, pikërisht atë që i mungoi tiranasve. Kjo fitore bën që Teuta të mendojë Europën, ndërsa Tirana të rrezikohet edhe për mbijetesën.
Europën mendon edhe Flamurtari që pati një paraqitje mjaft të mirë ndaj Kukësit. U luajt në Kamzë, me shumë tifozë kuksianë në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës, por që këtë herë nuk ia doli.
Vlonjatët e trajnerit Daja shënuan dy gola në pjesën e parë, me autorë Franc Veliun e Danilo Alveshin, dhe e mbrojtën rezultatin pas pushimit.
Kukësit të trajnerit Cungu nuk i bëri punë rrjeta e kroatit Dino Shpehar shpejt në pjesën e dytë. Mesa u duk, mungesat e shumta i prishën më shumë punë veriorëve sesa vlonjatëve.
Pas kësaj humbjeje, Kukësi mbeti në vend tretë me 19 pikë, ndërsa Flamurtari u ngjit i katërti, vetëm një pikë më prapa. /abcnews.al