Shumë shpejt, kryeministri Rama do të bëjë publike atë që ai e quan reflektim nga flamingot, që dalin poshtë zyrës së tij, prej më shumë se 50 ditë.
“Më bind se reflektimi i premtuar për atë që na vuri përpara pasqyra e bulevardit të flamengove është jo vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm dhe së shpejti do ta keni dhe atë”, ka thënë Rama.
Daljen e qytetarëve ne protestë ai e quan një arritje të madhe kur kthehet një dekadë pas.
“Nuk kanë kaluar shumë vite që Shqipëria ishte vendi i prerjeve barbare të pyjeve, i gjuetisë së egër të shfarosjes kriminale të shumë specieve, i lumenjve të kthyer në vend grumbullime mbetjesh dhe i një shteti që shpesh nuk kishte as mundësi, as instrumente, as kulturën për mbrojtjen. Kemi arritur deri aty sa të zhvillojmë protesta të mëdha për mjedisin dhe kjo pavarësisht çdo ekzagjerimi, manipulimi apo instrumentalizimi politik që iu bashkëngjit atyre protestave është në vetvete një arritje e madhe e shoqërisë. Sepse prania e aq shumë njerëzve që shqetësohen për flamengot, për lagunat, për pyjet apo për biodiversitetin, tregon se bashkë me Shqipërinë që ka ndryshuar, edhe shoqëria shqiptare ka ndryshuar”, u shpreh ai.
Ky reagim i kryeministri erdhi së bashku me vlerësimin nga “Environmental Performance Index 2026”, indeksi global për performancën mjedisore, që e ka renditur Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor, të 46-ën nga 177 vende në botë, me progresin më të madh në rajon gjatë 10 viteve të fundit. Kush qeverisë dhe gabon, thekson kreu i qeverisë por ai fton që të shihen faktet.
“Ky raport nuk është një medalje për t’u vetëkënaqur dhe as për t’ia u përplasur në fytyrë atyre që mendojnë ndryshe nga unë, por është një përgjegjësi shumë e madhe dhe një kujtesë se duhet të dëgjojmë më shumë, të korrigjojmë më shpejt kur është e nevojshme dhe të mbrojmë me edhe më shumë vendosmëri ekuilibrin mes zhvillimit dhe natyrës, ama duke mos i harruar kurrë faktet, sepse Shqipëria europiane nuk ndërtohet as duke zgjedhur mes ekonomisë dhe mjedisit dhe as duke e zgjedhur mes zhurmës dhe fakteve”, tha Rama.



