Një tjetër vatër zjarri është shfaqur në masivin pyjor të fshatit Lam i Madh në Mat.
Zjarri është aktivizuar në ekonomi pyjore me Ah, ndërsa ka nisur menjëherë ndërhyrja për shuarjen e flakëve të cilat ndihmohen nga era e fortë duke u përhapur me shpejtësi.
Bëhet fjalë për zjarrin e shfaqur në vendin e quajtur Mali i Toles, në fshatin Lam i Madh të Njësisë Administrative Derjan.
Megjithatë zjarri mbetet aktiv dhe paraqet rrezik për dëme të mëdha në krahun e Mirditës pasi ka avancuar shumë e nuk ka ndërhyrje forcash për shuarjen e tij. Ndërsa në zonën e Matit po punojne aktualisht 47 forca, ku 20 janë forca të ushtrisë.
Për të fikur zjarrin janë angazhuar ekipi zjarrfikës i Bashkisë Mat, specialistët e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor pranë kësaj bashkie, forcat e Armatosura të Detashmentit të Mbështetjes Rajonale Burrel dhe banorë të zonës.
Nga vendi i ngjarjes raportohet se të paktën në tre raste janë detyruar të tërhiqen pasi rrezikohej jeta e njerëzve. Puna po vazhdon, dhe, në disa vatra në drejtime të ndryshme janë izoluar flakët duke u shpëtuar zona pyjore.
Terreni i thyer malor dhe mungesa e rrugës automobilistike e ka bërë të pamundur ndërhyrjen me mjet zjarrfikës, ndërsa neutralizimi i flakëve po bëhet me pompa shpine e mjete të tjera rrethanore. /abcnews.al