Fjalimi i lamtumirës, Tillerson i falenderon të gjithë përveç Trump

schedule22:17 - 13 Mars, 2018

schedule 22:17 - 13 Mars, 2018

Në fjalimin e tij të lamtumirës, sekretari në ikje i Shtetit, Rex Tillerson ia ka rezervuar falenderimet stafit të tij, duke lënë mënjanë presidentin Trump, që siç tha, ia kishte komunikuar shkarkimin me një telefonatë.

Në reagimin e parë pas shkarkimit nga detyra, Rex Tillerson ka falenderuar qytetarët amerikanë, stafin e Departamentit të Shtetit dhe rrjetin e diplomatëve që punojnë në të gjithë botën.

I vetmi person që ai nuk ka falenderuar ka qenë presidenti Trump dhe i vetmi moment kur e ka përmendur ka qenë kur ka thënë se kreu i shtetit ia kishte komunikuar largimin përmes një telefonate nga “Air Force One”.

Në fjalimin e lamtumirës, Tillerson ka vlerësuar stafin e tij për përkushtimin e treguar ndaj një sërë çështjeve të ndjeshme, përfshirë atë të ngacmimeve seksuale.

“Do të takohem me anëtarët e zyrës time më vonë gjatë ditës për t’i falenderuar për shërbimin e tyre. Ata kanë qenë jashtëzakonisht të përkushtuar ndaj misionit tonë, që përfshin promovimin e vlerave”, ka thënë Tillerson.

Shefi në ikje i diplomacisë amerikane nuk ka lënë pa përmendur Rusinë në deklaratën e tij, duke u thënë gazetarëve se shumë punë mbetet për t’u bërë për t’iu përgjigjur sjelljes dhe veprimeve shqetësuese të qeverisë ruse. Një koment i guximshëm duke pasur parasysh faktin se sa hezitues ka qenë presidenti Trump për të dënuar Rusinë për ndërhyrjen e përfolur në zgjedhjet e vitit 2016.

Ndërsa mes arritjeve kryesore të diplomacisë amerikane, Tillerson ka renditur përpjekjet për të ulur Korenë e Veriut në tryezën e negociatave, progresin e trupave amerikane në Afganistan dhe fushatën kundër ISIS në Siri.

Më herët gjatë ditës, presidenti Trump u tha gazetarëve se e pëlqente Tillerson, por nuk binte dakord me të për disa çështje kyçe, si për shembull marrëveshja bërthamore me Iranin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!