“Fituam në vitin më të vështirë të jetës, Zidane kapiteni ynë. E mbyll karrierën këtu”

schedule19:17 - 17 Korrik, 2020

schedule 19:17 - 17 Korrik, 2020

Real Madrid fitoi titullin kampion mbrëmjen e kaluar. Fitorja 2-1 kundër Villareal i shpalli matematikisht kampionë djemtë e Zinedine Zidane, teksa ky ishte titulli i 34-t në historinë e klubit të famshëm.

Sergio Ramos nuk e fsheh lumturinë e madhe dhe ka bërë një dedikim emocionues për tifozët, të cilët i gëzon edhe me komentin e tij rreth së ardhmes. Kapiteni 34-vjeçar e mbyll me Zidane, duke mos i kursyer elozhet për trajnerin francez.

Jemi kampionë, madrilenë. Ia dolëm të fitojmë titullin në vitin më të vështirë të jetëve tona. Në momentet më të çuditshme do te kujtojmë këtë sukses. Në kohë të mira dhe aspak të tilla, me stadiumet bosh dhe heshtjen shurdhuese pa mbështetjen tuaj.

Jemi kampionë, kampionët e Spanjës. E ardhmja? Do të qëndroj te Reali për aq kohë sa dëshiron presidenti Perez. Jam i lumtur dhe dua ta përfundoj karrierën te kjo skuadër. Zidane? Ai është çelësi i suksesit, kapiteni i anijes.

I ka transmetuar shumë siguri të gjithë lojtarëve, jemi ndjerë shumë të mbrojtur me të në stol. Kemi besim absolut te trajneri“, thekson mbrojtësi dhe kapiteni i “Los Blancos”, i cili fitoi titullin e pestë kampion me klubin kryeqytetas. /abcnews.al