Shpëtim Duro arriti fitoren e parë në drejtimin e Laçit. Bardhezinjtë mposhtën 1-0 në shtëpi Vllazninë kryesuese falë golit të Xhixhës në minutat e fundit, triumf që ka rikthyer qetësinë tek ekipi laçian. Trajneri i njohur foli pas ndeshjes për Supersport, duke prekur disa tema të ndryshme.
“Ishte momenti i duhur për të bërë kthesën. Laçi ka skuadër të mirë, e them gjithmonë që i ka munguar fati në ndeshjet e para. Po të mos ishte fati nuk do isha unë trajner. Ishte e rëndësishme fitorja, fitore e mirë që ndikon në ambientin e skuadrës.
I thashë ekipit në pushim që ishin të ngarkuar. Nuk kishim lirshmëri në kombinacione sidomos në mesin e fushës. I thashë djemve të luanim lirshëm, ndryshoi gjithçka në pjesën e dytë, filluam të kombinonim më mirë ndaj një kundërshtari që është me meritë në krye.
Nuk ndryshoj karakterin sa i përket të qeshurës. E kapa situatën e ndërrimeve dhe mendoj se bëra mirë. Nuk dua të kaloj në eufori, por u deshën ndërrimet. Mazrekaj? Mund të luajë në formacion, por ai ka pozicionin në krahun e majtë, edhe pse mund të luajë kudo.
Nuk e jep rendimentin më të mirë në pozicione të tjera. Aty është Xhixha dhe bëra një kombinim, spostova Xhixhën pas sulmuesit të parë për t’i krijuar hapësira Mentorit në krahun e tij. Ishte diçka pozitive.
Informacionin me Nwabuezen e ke gabim. Jam unë që e mora te Drita për 24 orë, ai e di mirë. Jam unë që ia sugjerova Laçit. Nuk e largova nga Drita, i mbaroi kontrata, presidenti Laska u interesua për të dhe i thashë fjalë të mira për lojtarin.
Titulli? Janë shumë skuadra për titull, nuk ka diferenca. Nuk e mendonte kush se Vllaznia do të ishte në krye, janë të gjithë skuadra serioze, duhet të djersitësh shumë. Nuk e mora ekipin në pozita të barabarta, por kjo fitore na jep shpresë. Mund të afrohemi për të luftuar për objektivat e klubit nëse vazhdojmë me rezultate pozitive. Në këtë moment duhet të shohim hap pas hapi.
Nwabueze nuk ka qenë i pranishëm, ka qenë prezent në seanca stërvitore, por nuk është stërvitur, pasi ka pasur një dëmtim te gjuri pas ndeshjes me Teutën, të shohim nesër si do të jetë gjendja e tij”, përfundon trajneri i ekipit kurbinas. /abcnews.al

