Mundet edhe të fitosh thellë, e sytë të të mbushen me lot. Kështu i ndodhi ekipit përfaqësues të Kanadasë dhe trajnerit të tij, Xhesi Marsh, pas dëmtimit të rëndë të pësuar nga Ismail Kone në 53’.
Ndërhyrja nga Madibo i Katarit ishte kaq e ashpër saqë Konesë iu thye këmba dhe ai e humbi kupën e botës, e do të duhet kohë që të kthehet në fushë.
Ky ishte momenti i rëndë në stadiumin e Vankuverit, të mbushur me gati 53 000 spektatorë. Gjithçka tjetër kaloi shumë mirë për vendasit, që u dukën edhe më të fortë sesa në ndeshjen e kaluar barazuar 1-1 ndaj Bosnjë-Hercegovinës.
Larin shënoi që në 16’, pastaj Xhonatan Dejvid realizoi të dytin, përpara sesa Katari të mbetej me 10 vetë kur Homam Al Amin mori të kuq në 33’.
Natyrisht, kjo ia lehtësoi punën edhe më shumë atyre që quhen “të kuqtë”, dhe Dejvid shënoi edhe golin e dytë personal në fund të pjesës së parë.
Pas të kuqit të dytë të Katarit, gjithçka u bë formalitet dhe erdhën edhe 3 rrjeta të tjera. Xhonatan Dejvid pati një tregolësh duke qenë më i miri në fushë.
Kanadaja është shumë pranë kualifikimit me 4 pikë, po aq sa Zvicra, dhe me golaverazh shumë të mirë. Sfida e fundit është pikërisht ndaj helvetëve në 24 qershor./abcnews.al



