Fitorja e Melonit në Itali, Zykaj: Tronditje për Brukselin, shtohet frika për ngjitjen e ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën

schedule22:46 - 27 Shtator, 2022

schedule 22:46 - 27 Shtator, 2022

Rezultati i zgjedhjeve në Itali ku shumicën e mori një koalicion i ekstremit të djathtë është përjetuar si një tronditje në Bruksel. Në një lidhje direkte me “Log” në ABC, gazetarja Erisa Zyka u shpreh se frika për ngjitjen e ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën tashmë është reale.

“Është e vërtetë që në Bruksel është përjetuar si një tronditje. Një frikë për ngjitjen e ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën. BE ndodhet me një luftë në territorin e saj dhe me dy shtete që ka favorizuar ardhjen në pushtet me anë të koalicioneve të së djathtës ekstreme, Suedia, Italia, Polonia, Hungaria. Ka vërtet një frikë për rritjen e ekstremit të djathtë në vendet e Unionit.”

Ndërsa solli në vëmendje se Italia ka të drejtën e vetos në BE, gazetarja Zyka shpjegon se duke qenë si Italia nuk ka si qëllim të dalë nga BE, Brukseli ka mekanizmat e nevojshëm që ta mbajë sjelljen e saj “në shina.” Një mënyrë presioni mund të ishte ndërprerja e kredive nga Banka Qendrore Evropiane.

“Italia ka të drejtën e vetos në BE, por Brukseli ka bërë të ditur se kjo e drejtë nuk është i këshilluar sepse Brukseli i bën presion me ekonominë. Nuk synon të dalë nga BE, Italia nuk bëhet fjalë për një Italexit. Brukseli, nëse ka hapa që konsiderohen të rrezikshme mund të merren masa. Së dyti, nëse ka hapa të gabuar Banka Qendrore Evropiane mund të ndërpresë kreditë.”

Kurse për Etjen Xhafajn ato që po mban BE janë qëndrime politike.

“Këto janë qëndrime politike. Po jepen sinjale nga Brukseli që të ketë një reagim në Itali. Nuk ka asnjë shans që Banka Qendrore Evropiane është të lëshojë një nga tre ekonomitë më të mëdha të BE-së. Besoj që më tepër sesa një kritikë e ashpër e Brukselit, është një komunikim me qeverinë aktuale të Italisë.  Do parë qëndrimi që do të mbajë Franca dhe Gjermania.”

Ndërsa, Zykaj theksoi gjithashtu se në lojë është edhe plani i rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë nga i cili Italia përfiton 70 miliardë euro, një pjesë të mirë e të cilave vendi fqinj nuk i ka tërhequr ende.

Me ardhjen në pushtet të  partive si ajo e Melonit në Itali por edhe vende të tjera të Evropës, ato që priten të ndryshojnë, sipas Erisa Zykës, janë politikat e emigracionit dhe çështjet e identitetit apo sigurisë. /abcnews.al/