Finlandezët shkojnë në kutitë e votimit të dielën për të zgjedhur presidentin e ri

schedule12:01 - 26 Janar, 2024

schedule 12:01 - 26 Janar, 2024

Të dielën në Finlandë do të mbahen zgjedhjet presidenciale, ku qytetarët do të zgjedhin mes nëntë kandidatëve. Këto zgjedhje janë gjithashtu votimi i parë në atë vend nordik që kur u bashkua me NATO-n vitin e kaluar.

Rreth 4.5 milionë njerëz kanë të drejtën e votës dhe votuesit do të zgjedhin midis nëntë kandidatëve, gjashtë burra dhe tre gra për pasardhësin e Presidentit jashtëzakonisht popullor Sauli Niinista, mandati i dytë gjashtëvjeçar i të cilit skadon në mars dhe nuk mund të kandidojë përsëri.

Ka shumë gjasa që askush të mos marrë 50 për qind të votave në raundin e parë, prandaj dy kandidatët kryesorë do të ballafaqohen në raundin e balotazhit pas dy javësh.

Sipas sondazheve, në garën presidenciale kryesojnë Alexander Stubb nga Partia e Koalicionit Kombëtare e qendrës së djathtë, dhe Pekka Haavisto që garon si kandidat i pavarur, por që një kohë të gjatë ka qenë i lidhur me të Gjelbërit.

Të dy pritet të marrin 20 deri në 25 për qind të votave gjatë raundit të parë të zgjedhjeve.

Në balotazh, Stubb ka shumë gjasa të dalë i pari, edhe pse pritet që diferenca në vota të jetë e ngushtë.

Nëse dikush do të konsiderohej “i preferuari i Brukselit”, ai do të ishte Stubb. Kurdo që ka spekulime lidhur me vendet kryesore në institucionet e BE-së, emri i tij kryeson.

Në fakt, nëse ai nuk bëhet president i Finlandës gjatë këtij dimri, ai mund të bëhet kandidati i ri finlandez për komisionar europian në vjeshtë. Në fakt, pikërisht në Bruksel ai e nisi karrierën katër vjet më parë si anëtar i Parlamentit Europian.

Më pas shërbeu si ministër i Evropës dhe Tregtisë, ministër i Jashtëm, kryeministër, ministër i Financave para se të bëhej zëvendëspresident i Bankës Europiane të Investimeve (EIB), dhe së fundi drejtor dhe profesor në Institutin Universitar Europian.

Edhe kandidati tjetër kryesor, Pekka Haavisto, është një zgjedhje mjaft interesante për president. Si fillim, ai do të bëhej personi i parë homoseksual që do të mbante këtë post.

Sikurse Stubb, edhe ai po ashtu ka shërbyer si ministër i Jashtëm dhe ka një karrierë mjaft mbresëlënëse diplomatike.

Ai ka qenë përfaqësues i posaçëm i BE-së në bisedimet e paqes të Darfur në Sudan më 2005 dhe ka qenë i dërguari i bllokut në Etiopi gjatë luftës së fundit në Tigrej.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!