Bashkimi Europian duhet të ndërmarrë hapa për të ndihmuar Finlandën të ndalojë fluksin e emigrantëve përmes Rusisë, tha sot kryeministri finlandez Petteri Orpo.
Vitin e kaluar Finlanda mbylli kufirin e saj me Rusinë mes një numri në rritje njerëzish që vinin nga vende, përfshirë Sirinë dhe Somalinë, dhe akuzoi Moskën për përdorimin e migracionit si armë kundër vendit nordik dhe BE-së, një akuzë të cilën Kremlini e refuzon.
“Ne po përgatisim legjislacionin tonë, por na duhen edhe masat e BE-së”, tha Orpo, pa dhënë detaje, pasi vizitoi kufirin e vendit të tij me Rusinë me Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Von der Leyen tha në të njëjtën konferencë për shtyp se Komisioni Europian po punon në bashkëpunim të ngushtë me vendet e origjinës së emigrantëve, duke rënë dakord me qëndrimin e Finlandës.
“Ajo që ne po shohim është se një shtet po përdor njerëz të varfër për të ushtruar presion mbi një shtet tjetër, kështu që kjo është një çështje e qartë e sigurisë,” tha ajo.
Masat e marra për të adresuar çështjen e emigrantëve nga Rusia duhet të balancohen midis mbrojtjes së sigurisë kufitare dhe detyrimeve ndërkombëtare, theksoi ai.
Duke ndjekur shembullin e Polonisë dhe Lituanisë, të cilat kanë marrë masa në kufijtë e tyre me Bjellorusinë, qeveria finlandeze po planifikon legjislacionin që do t’i lejojë rojet kufitare të ndalojnë azilkërkuesit të hyjnë në vend nga Rusia.
/abcnews.al