Kryeministri Rama, gjatë prezantimit të Programit Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian, deklaroi se qeveria do të garantojë mbështetje financiare për çdo sipërmarrje të vogël dhe të mesme që ka nevojë për financim.
Kryeministri tha gjithashtu se është dyfishuar financimi për të rinjtë që kanë aplikuar në programin Start Up Albania, pasi këtë vit janë regjistruar mbi 1200 aplikime.
Ai theksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Europian kërkon dije dhe informim, në mënyrë që bizneset shqiptare të kuptojnë mundësitë dhe detyrimet që sjell tregu i përbashkët europian ku sipas tij, BE bëhet se Shqipëria dhe Shqipëria bëhet sa BE.
“ Çdo sipërmarrës i vogël apo i mesëm që ka gjithçka, veç financimit, do të ketë financim me mbështetjen e qeverisë shqiptare, falë linjës së kredisë së Bankës së Shqipërisë dhe marrëveshjes me bankat e nivelit të dytë. Ne nuk do të ndalemi te një kuotë financimi si ajo që kemi parashikuar, sepse nëse do të ketë nevojë për më shumë, do të vëmë në dispozicion më shumë. Nuk do të ketë asnjë sipërmarrje që nuk do të mbështetet financiarisht, por për të lehtësuar këtë proces do të shërbejë edhe asistenca për përgatitjen e planeve të biznesit.
Kemi dyfishuar financimin për të rinjtë që kanë aplikuar në Start Up Albania. Këtë vit kaluan mbi 1200 aplikime dhe ne e dyfishuam financimin. U kemi thënë të rinjve që do ta rrisim financimin në mënyrë proporcionale me rritjen e aplikimeve.
Çfarë synojmë ne me këtë program? Duam të informojmë 48 mijë ndërmarrje në të gjithë vendin. Duam të ngremë bashkërisht një platformë të mbështetjes së biznesit. Duam të organizojmë një cikël prej qindra trajnimesh, të rrisim kualifikimin dhe konkurrueshmërinë. Kemi nevojë për dije. Ky proces ka nevojë për informim, për të kuptuar çfarë vjen me përfshirjen në tregun e madh europian. Shqipëria bëhet sa BE-ja dhe BE-ja bëhet sa Shqipëria, në sensin që nuk je më një sipërmarrës brenda kufijve të Shqipërisë, por je brenda BE-së.”



