Ka qenë një edicion i mirë. Gjermania po gjen veten dalë nga dalë nën drejtimin e trajnerit në moshë të re, Julian Nagelsman, dhe fakti se ka arritur gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve është një provë për këtë.
Të pathyer në 17 ndeshjet e fundit, që janë luajtur nga 90 minuta, “teutonët” janë me besim edhe pse kjo është hera e parë që arrijnë kaq larg në këtë konkurrim.
Për më tepër, ndeshja luhet në “Alianc Arenë” të Mynihut, pra në Gjermani, dhe ky është një favor, por edhe një detyrim.
Gjithsesi, probleme ka plot, pasi mungojnë për shkak dëmtimi Musiala, Bisek, Sholterbek, Haverc, Amiri, Burkhart dhe Shtiler.
Portieri Ter Shtegen kthehet, ndërsa Nagelsman është në humor të mirë.
“Si trajner I kombëtares unë ende nuk e kam mundur Portugalinë. Në fund të fundit, ne duhet të shënojmë më shumë gola këtë herë. Statistikat nuk luajnë asnjë rol. Ky është si një mini Europian. Mezi po pres që ta luajmë këtë ndeshje përpara tifozëve tanë, në një stadium të bukur. Shpresoj që të luajmë dy ndeshje këtu. Do të ishte e përsosur. Jemi të lumtur që ky turne mbahet në Gjermani’.
Portugalia do të ketë sërish në radhët e veta legjendën e vjetër, Kristiano Ronaldo.
Edhe pse 40 vjeç, edhe pse e ardhmja mbetet e paqartë, CR7 nuk ka ndërmend të dorëzohet pa luftuar.
Ai do të jetë kapiten në ndeshjen e tij të 220-të për kombëtaren.
Treshja e Paris SG Nevesh-Vitinja-Nunjo Mendesh mund të lihet pushim pas finales së Championsit.
Problemi I Ronaldos është se nuk ka fituar kurrë ndaj Gjermanisë në karrierën e tij të madhe, ndërsa Portugalia ka humbur 5 ndeshjet e fundit radhazi./abcnews.al

