Filmi shqiptaro-spanjoll rrëmben çmimin e rëndësishëm në Australi

schedule12:54 - 20 Janar, 2020

schedule 12:54 - 20 Janar, 2020

Në Bondi Beach, Sydney, Australi u mbajt FlickerFest, ku filmi shqiptaro-spanjoll “The News” u vlerësua si “Filmi më i mirë ndërkombëtar me metrazh të shkurtër”.

 

“Jemi kaq të lumtur që festivali i vitit 2020 ka qenë një sukses i tillë ,ka pasur një entuziazëm të madh për të gjithë filmat e shfaqur,” tha drejtori i Flickerfest, Bronwyn Kidd.

“Është kaq bukur  të shohësh një film të shkurtër  dhe të mirëpritur kaq  ngrohtësisht nga audienca gjatë eventit tonë dhjetë ditor.”

“Unë do të doja të uroja të gjithë filmat që morën pjesë në Flickerfest këtë vit dhe të gjithë fituesit e çmimit “

“The News” (Lajmi) me regji të Lorin Terezit dhe skenar të Anila Ballës, gjithashtu producente, rrëmbeu një nga çmimet më të rëndësishme të ceremonisë.

 

FlickerFest është një festival ndërkombëtar i filmit me metrazh të shkurtër, që mbahet çdo janar në Sydney dhe konsiderohet një festival i rëndësishëm për filmat e kësaj kategorie. FlickerFest është i akredituar nga Akademia e Oscars dhe i njohur nga BAFTA.

Regjisori Terezi, i cili është diplomuar në Akademinë e Arteve për regji teatri dhe regji filmi dhe televizioni, tregoi se ideja për temën erdhi nga realiteti i dhunshëm mediatik, atë me të cilin përballemi çdo ditë.

Xhirimet u realizuan në fshatin Shën Gjergj dhe kasti i aktorëve përbëhet nga Lena Kryeziu Bokshi, Bilbil Kasmi, Mirjana Deti, Besnik Ferra dhe Pëllumb Dervishi./abcnews.al