Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një komunikim me median për rimbursimin e paketës bazë të trajtimit ambulator për pacientët e diagnostikuar me COVID19, u shpreh se do të përfitojnë të gjithë, të siguruar ose jo.
“Paketa synon që të mbështesë ato familje, apo individë që janë me covid. Paketa është universale, përfitojnë të gjithë nëse janë të siguruar apo jo. Është një paketë që është e financuar edhe në terma afatmese, nuk është vetëm për këto dy muaj, por edhe për vitin 2021”.
Ministrja vlerësoi strategjinë e ndjekur, ndërsa u kërkoi qytetarëve që të respektojnë mbajtjen e maskës. “Sot drejtori i OBSH për Europën, Dr. Hans Kluge ka vlerësuar që nëse do të ishin mbajtur maskat në një masën 95%, një mbajtje universale në Europë, atëherë izolimi total në Europë do të kishte qënë i shmangshëm, nëse do të ishin mbajtur këto maska.
Është një moment për t’iu drejtuar qytetarëve, që këto masa, maskat detyruese, janë të gjitha armët, që ne i përdorim në mënyrë efektive, sjellin kufizimin e përhapjes së virusit.
Strategjia deri tani ka rezultuar efektive, por kërkohet akoma më shumë bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve, nuk mund të kemi dy botë paralele. Kemi një rritje të numrit të rasteve, ne kërkojmë që të kemi një qëndrueshmëri, një kurbë sa më të shtrirë, që ta përballojmë me sukses këtë moment” tha ministrja.