Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar që të merren masa shtesë me fillimin e vitit të ri shkollor.
Në një postim në Facebook, kryedemokrati shkruan se duke qenë se javët e fundit numri i të infektuarve vijon të jetë i lartë, detyrë parësore për qeverinë mbetet marrja e masave konkrete.
Basha thekson se veç masave si dezinfektimi i ambienteve, duhet të testohen urgjentisht të gjithë mësuesit dhe të kenë rezultatin, në ditën e parë të shkollës.
“Me testime të shpeshta të stafit mësimor në vazhdim, do të mund të shmanget dhe një zinxhir i mundshëm infeksioni që do ta rëndonte edhe më tej situatën.”
Postimi në Facebook:
Tashmë shumë, pranë nisja e vitit të ri shkollor është një ditë e mirëpritur nga mijra nxënës, prindër dhe staf pedagogjik në të gjithë vendin.
Ky vit nis në kushte të vështira për mësuesit, nxënësit dhe familjet e tyre. Javët e fundit numri i të prekurve me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë ndërkohë që mbetet detyrë parësore e qeverisë të marrë masa konkrete për të shmangur përhapjen e virusit mes nxënësve dhe mësuesve.
Veç dezifektimit të ambjenteve shkollore, mësimit me turne për të shmangur klasat me shumë nxënës, duhet kryer urgjentisht dhe testim masiv për të gjithë stafin mësimor. Çdo mësues ditën e parë të shkollës duhet të ketë rezultatin e testit të COVID-19. Me testime të shpeshta të stafit mësimor në vazhdim, do të mund të shmanget dhe një zinxhir i mundshëm infeksioni që do ta rëndonte edhe më tej situatën.
Ndërkohë që Kosova pritet ta zbatojë këtë plan, qeveria shqiptare duhet të nisë urgjentisht marrjen e masave për të siguruar testimet për stafin mësimor.
Jeta dhe shëndeti i mësuesve, nxënësve dhe të gjithë shqiptarëve është sot më i rëndësishëm se çdo show politik! s.b/ abcnews.al/