Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe deklaroi ditën e sotme se sipas planit të riorganizimit, ka ambiente spitalore, si dhe personel mjekësor që është plotësisht i përgatitur për të punuar në departamentet interne ku janë të shtruar pacientët me Covid-19.
Deklaratat ministri Filipçe i bëri pas seancës së Këshillit të Sigurimit Kombëtar në kabinetin e Presidentit, Stevo Pendarovski.
“E gjithë Qendra Klinike është në një situatë të mobilizimit të madh. Këtë mëngjes pata një takim me drejtorët e të gjitha klinikave interne dhe listën e mjekëve dhe infermierëve përfshin të gjithë punonjësit në klinika dhe nëse është e nevojshme ata do të punojnë në mjedise shtesë.
Spitali modular është pothuajse plotësisht i mbushur, Instituti për Sëmundjet e Mushkërive dhe shtretërit shtesë spitalorë brenda disa klinikave interne janë në dispozicion në klinikat e dermatologjisë dhe neurologjisë që kanë mundësi të furnizimit qendror me oksigjen. Brenda spitaleve të tjera, në departamentet interne janë liruar kudo dhe stafi është mobilizuar plotësisht. Departamentet shtesë janë tashmë gati në spitalin 8 Shtatori”, u shpreh ministri.
Filipçe shtoi po ashtu se qytetarët duhet të jenë të qetë, sepse ka vende të mjaftueshme të lira dhe staf profesional dhe se askush nuk do të mbetet pa kujdes shëndetësor. s.b/abcnews.al/