Filip Kutinjo shënon golin e parë për Barcelonën

schedule15:46 - 9 Shkurt, 2018

schedule 15:46 - 9 Shkurt, 2018

Filip Kutinjo shënoi golin e parë të Barcelonës dhe skuadra e tij u kualifikua për në finalen e Kupës së Mbretit në Spanjë. Ylli brazilian u shpreh i lumtur për rrjetën dhe për suksesin.

Ky ishte goli i parë i Romarios, këtu e 20 e ca vjet më parë.

Ja edhe i pari për Fenomenin Ronaldo, që gjithashtu luajti me këtë fanelë.

Nuk mund të mungonte Rivaldo me klasin e tij, dhe aq më pak magjistari Ronaldinjo.

Kështu ishte hera e parë e yjeve më të mëdhenj brazilianë të Barcelonës, ndërsa radha ishte e supertalentit të fundit.

Filip Kutinjo gjeti një kundërshtar jo dosido, por pikërisht Valencian brenda në stadiumin e saj, për të provuar kënaqësinë që të jep rrjeta më e parë për Barçën.

Numri 14 shkëlqeu sapo hyri në fushë pas pushimit, duke treguar se mund të bëjë diferencën.

Jo më kot katalanasit kanë paguar 160 milionë euro për të.

“Ishte goli im I parë për Barcelonën. E kërkova që në ndeshjen e kaluar, dhe më në fund ia dola. Jam shumë I kënaqur, ndonëse më e rëndësishme është që u kualifikuam për në finale. Më vjen mirë sepse edhe tek Liverpuli, golin e parë e shënova me ndihmën e Suarezit. Shpresoj që Luisi dhe Leo të më ndihmojnë për më shumë gola. Një moment I rëndësishëm për mua, pasi jam vetëm prej pak ditësh këtu dhe po vazhdoj të mësoj dhe të kuptoj sesi funksionon loja e skuadrës”.

Suksesi 2-0, arritur edhe me golin e shënuar nga kroati Ivan Rakitiç, bëri që skuadra e trajnerit Valverde të mos e diskutonte kalimin për në finalen e Kupës së Mbretit, ku do të ketë përballë Seviljen.

Bëhet fjalë për finalen e pestë radhazi, ndërsa Mesi me shokë kërkojnë trofeun e katërt po njëri pas tjetrit.

Nuk ishte aspak e lehtë, sidoqoftë, edhe pse rezultati i përgjithshëm i ndeshjeve gjysmëfinale doli 3-0 për Barçën.

Valencia pati rastet e saj, dhe të paktën duhej të kishte marrë barazimin në fushën e saj.

Nuk ia doli, sidomos për meritë të Barcelonës që duket se po kthehet në nivelet e saj më të larta, të kohëve të Krujfit, Guardiolës apo Luis Enrikes, të shkëputur në La Liga, në finale të Kupës, si dhe favoritë për Championsin.

Me Kutinjon, Dembelenë, Paulinjon, por edhe me yjet që kishte si Mesi, Suarez, Pike, Buskets e Iniesta, katalanasit synojnë çdo trofe të madh të sezonit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!