Realdo Fili e nisi mirë kampionatin me Luftëtarin, por më pas pati një pezullim nga drejtuesit bluzi. Fieraku është një lojtar që mund të luajë në çdo pozicion të sulmit dhe sipas asaj që raporton e përditshmja sportive “Panorama Sport”, është një klub që e do me ngulm.
Bëhet fjalë për Vllazninë, klub që po e vuan mungesën e një sulmuesi. Mirsad Jonuz e pëlqen dhe do donte ta kishte në skuadrën e tij. Gjithsesi mbetet të shihet nëse Luftëtari do e lërë të lirë. Fili edhe në verë tentoi largimin nga bluzinjtë, por kontrata u bë pengesë.
TRAJNERI I RI I TIRANËS – Ardian Mema u largua i pari, më pas të njëjtin fat pati edhe Julian Ahmataj. Në kampin bardheblu po mendojnë me qetësi për emrin e trajnerit të ri. Ilir Daja është dëshira e madhe, edhe pse te Tirana nuk e thonë dot hapur.
Në klub duan një trajner që të mbledhë ekipin dhe të ketë autoritetin e duhur. Gjithsesi ka edhe emra të tjerë që qarkullojnë si kandidatura për të marrë drejtimin e bardhebluve.
Një prej tyre është Andrea Agostinelli, italiani që më parë ka drejtuar Partizanin dhe Skënderbeun. Madje ai ka folur së fundmi në gazetën e përmendur edhe më lart, duke thënë se është gati ta marrë përsipër drejtimin e Tiranës, pasi bëhet fjalë për një klub të madh. /abcnews.al