FIFA s’pezullon Xhakën e Shaqirin pas festimit me shqiponjë ndaj Serbisë

schedule19:11 - 25 Qershor, 2018

schedule 19:11 - 25 Qershor, 2018

Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri nuk pezullohen nga FIFA dhe mund të luajnë për Zvicrën në ndeshjen e radhës në Botëror. Gjobë për dy shqiptaro-zviceranët, por gjobë e rëndë edhe për Federatën Serbe.

Ky festim nuk është i dënueshëm.
FIFA vendosi pikërisht kështu për Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin, duke hedhur poshtë pretendimin e Serbisë për t’i dënuar, pas festimit me shenjën e shqiponjës.
Kjo do të thotë se ata do të luajnë në ndeshjen e radhës në Botëror, atë ndaj Kosta Rikës në Grupin E, ndërsa besohej se rrezikonin deri në 2 ndeshje pezullim.
Dy futbollistët shqiptaro-zviceranë e bënë shenjën e shqiponjës, pasi realizuan golat për ekipin e tyre përfaqësues në ndeshjen e Botërorit ndaj Serbisë.
FIFA e quajti gjithsesi shkelje veprimin e tyre, pasi i gjobiti me nga 10 000 franga zvicerane.
Gjobë me 5 000 franga zvicerane mori edhe kapiteni i Zvicrës, Lihtshtajner, që gjithashtu bëri shenjën e shqiponjës në rastin e njërit prej golave.
“B92” komenton thjesht: Xhaka e Shaqiri mund të luajnë ndaj Kosta Rikës! U dënuan vetëm financiarisht për konotacionin politik në festimin e golave ndaj Serbisë.
Gazeta “Danas” edhe më pozitive: Siç edhe pritej, Xhaka e Shaqiri nuk u pezulluan për shkak të festimit të golave! U ndëshkuan vetëm financiarisht.
I kundërt qendrimi i “Kuririt”: Turp për FIFA-n dhe gjithë botën.
Ja sesa u dënuan shqiptarët Xhaka e Shaqiri për provokimin e serbëve!
“Kurir” zemërohet që Federata Serbe u gjobit me 54 000 franga, pra më shumë sesa Xhaka e Shaqiri, dhe kjo për shkak të ofendimeve të tifozëve dhe hedhjes së sendeve në fushë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!