Fatmir Matmuja dhe fermerë të tjerë të Breglumës në Kukës po provojnë fatin. Kanë nisur të mbjellin drithra. Këtë vit mundën të korrin të mbjellat pasi prej thatësirës liqeni i Fierzës nuk ju përmbyti tokat. Shpresojnë që gjatë dimrit dhe pranverës liqeni të mos i përmbytë të mbjellat e tyre sic ka ndodhur për vite me rradhë.
“Këtë vit uji erdhi afër dhe u kthye mbrapsht. Nuk u përmbytëm”, tregojnë fermerët.
“Vjen liqeni kemi frikë.”
“Zakonisht e përmbyt në periudhën e majit, për grurin s’ja vlen se se s’ka arritur fazën as me mu kosit”, thonë ata.
Në këtë zonë prej shumë vitesh nuk është marrë asnjë masë që tokat mos të përmbyten. Fermerët thonë se edhe shpenzimet janë dyfishuar ndaj vitin tjetër zor se do të mbjellin.
“Mekanika shumë shtrenjtë, për t’ia vlejtur, s’ia vlen po të shohim. Shpenzimet duhet t’i mbulojë shteti dhe ne t’i bëjmë vetëm shërbimet. 100 mije lekë për dylym shkon kosto vetëm për mbjellje, pa pleh kimik, pa korrje, pa transport. S’ia vlen më ta mbjellësh”, thotë një fermer.
“Edhe sikur të mos e marrë liqeni, me këto shpenzime nuk ia dilet. Kemi mbetur në mëshirë të fatit!”
Këta janë nga të paktët fermerë që po vazhdojnë të mbjellin tokat në fshatin Breglumë të Kukësit. Prej rrezikut të përmbytjeve dhe kostove të larta pjesa më e madhe e banorëve i kanë lënë djerrë. /abcnews.al