Fier/ Gjendet një makinë e djegur, brenda kishte kallashnikov

schedule12:22 - 11 Prill, 2018

schedule 12:22 - 11 Prill, 2018

Një sulm me armë ka ndodhur në qytetin e Fierit, por nuk pati persona të lënduar. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, policia gjeti një makinë në flakë. Dyshohet se ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Makina tip “Reno” me targa greke, u shkrumbua këtu pranë stacionit të trenit, në qytetin e Fierit. Zjarrfikset mbërritën në kohë, por flakët e mbuluan brenda pak sekondave.
Banorët kanë treguar që dëgjuan edhe shpërthime të njëpasnjëshme, ndërsa digjej.
Dyshohet se kanë plasur fishekët.
Më herët, sipas policisë, ka dyshime se nga ky automjet u qëllua me breshëri automatiku në drejtim të një lokali.
Në njoftimin zyrtar thuhet se rreth mesditës në lagjen “8 Shkurti” nga një automjet tip “Reno” është hapur zjarr me armë në drejtim të lokalit të shtetasit A.B.
Nga të shtënat nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale, ku janë thyer xhamat e lokalit. Pronarët e barit nuk kanë qenë aty kur u sulmuan.
Policia ngre versionin se ka qenë një mesazh kërcënimi.
Makina është larguar në drejtim të Semanit dhe pas pak, kjo tip makine u gjet e djegur në lagjen “15 Tetori” në Fier.
Në brendësi të saj u gjet një armë kallashnikov dhe një karikator. Forcat policore po krehin zonën me qëllim kapjen e autorëve./abcnews.al