Festivali i teatrove në Dibër të Madhe, shfaqja “Jul Çezari” e trupës së Tiranës merr vlerësimin maksimal

schedule21:48 - 1 Tetor, 2020

schedule 21:48 - 1 Tetor, 2020

Për gjashtë netë me radhë, në Dibër të Madhe u mbajt festivali i Teatrit Shqiptar.

Ky edicion ka një veçanti për shkak të kushteve të vështira në të cilat u zhvillua prej pandemisë.

Publiku dibran  ka ndjekur shfaqet me maska dhe dezinfektantë.

Drejtori i festivalit Ylber Nuredini dhe kreu i komunës të Dibrës së Madhe thanë shfaqet u zhvilluan në kushte të pazakonta.

“Festivali në kohë pandemie nuk është i lehtë të realizohet, por besoj ia arritëm”, u shpreh drejtori i festivalit Ylber Nuredini.

Shfaqet janë mbajtur herë jashtë dhe herë brenda në salla sportesh të adoptuara për shkak të shiut.

Në gjashtë netët e festivalit u mbajtën tetë shfaqe. Gjeografia e trupave pjesëmarrëse ishte nga gjithë trevat nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Festivali u ndoq me vëmendje nga një juri profesioniste e cila kryesohej nga Xhevat Limani aktor nga Shkupi, Nebi Islami kritik  dhe Josif Papajorgji, Dramaturg.

Në natën finale u ndanë çmimet. Çmimin e shfaqjes më të mirë e mori shfaqja “Jul Çezari” e Teatrit Kombëtar Eksperimental me regji të Ivica Buliç .

Shfaqet u ndoqën nga profesorë të Universiteteve të Arteve nga Maqedonia dhe Shqipëria. Regjisori dhe profesori i Universitetit të Arteve të Tiranës, Milto Kutali vlerëson trupat pjesëmarrëse.

“Mendoj që Ministritë e Linjës, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, ka një kujdes të vakët, për të mos thënë aspak.  Në këtë kohë pandemie u tregua që ushqimi shpirtëror është njësoj si buka e përditshme”, tha regjisori Milto Kutali.

Ndërsa regjisori dhe profesori Senad Abduli, i Universitetin të Tetovës vlerësoi kastën e aktorëve të rinj. Ndërsa profesor Sulejman Rushiti kërkoi që teatrit ti kushtohet më tepër vëmendje.

“Parimi i vlerave u respektua dhe kjo më bëri të ndjehem më mirë. Të shoh se studentët që kanë qenë prezent në festival të plotësojnë nga eksperienca të ndryshme dhe të mësojnë nga më të vjetrit “, tha regjisori Senad Abduli.

“Pandemia nxori shumë të vërteta, një nga ato ishte që arti dhe kultura janë një nga elementët shumë të rëndësishëm për shëndetin mental të njerëzve dhe duhet të mbështetet”, tha regjisori Sulejman Rushiti.

Ky është edicioni i 19 festivalit të Teatrove që mbahet në Dibër të Madhe në të cilin marrin pjesë trupa nga tre vendet shqipfolës Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!