Festivali i Komedisë në Korçë/ Organizatorët: Do të ketë çmime dhe surpriza

schedule15:20 - 2 Shtator, 2018

schedule 15:20 - 2 Shtator, 2018

Në qytetin e Korçës ka nisur Festivali i Komedisë. Ky është viti i pestë për këtë festival mbarëshqiptar dhe sipas Drejtoreshës së Teatrit Zamira Kita trupat më të mira do të vlerësohen me çmime nga një juri profesionistësh. 

Festivali mbarëshqiptar i Komedisë çeli siparin mbrëmjen e së shtunës, për të pestin vit, në Korçë. Tetë trupa, nga Tirana, Korça, Vlora, Fieri, Durrësi, Prizreni dhe Prishtina, do të ngjiten në skenën e teatrit të Korçës, për të sjellë, vepra të përzgjedhura nga Komedia Botërore.

Edhe këtë vit, është konceptuar si garë, ku trupat profesioniste, do të marrin vlerësime nga një juri, me emrat më të spikatur të kulturës kombëtare.

Festivali i komedisë, për Drejtoren e Teatrit të Korçës Zamira Kita, tashmë është kthyer në traditë, që kontribuon në promovimin e vlerave dhe bashkon artistët dhe krijuesit, në një ballafaqim njohës dhe ndërveprues.

Zamira Kita: “CoCo Fest përveç jetës artistike të konkurimit të veprave dhe krijimtarisë së një viti në komedi, ka edhe pjesën tjetër që qyteti të jetë në festë dhe këta artistë të takohen me publikun korçar, të pinë një kafe, të drekojnë, të pinë një gotë verë dhe të shëtisin në pjesët historike turistike dhe me vlera të mëdha”.

Aktori Enver Petrovci, një prej anëtarëve të jurisë, vlerësoi festivalin e Komedisë, si një mundësi, që publiku të njohë çfarë ka arritur të krijojë arti në shkallë botërore.

Enver Petrovci: “Pesë vjet është një rrugë e mbarë uroj të ketë se po e vërej që publiku po e don këtë festival”.

Të parët që kanë performuar për publikun korçar, ishin aktorët e Teatrit Kombëtar, me komedinë “Vetëvrasësi”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!