FIFA ka hapur një hetim disiplinor për festimet e futbollistëve të Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Gjithashtu po heton edhe deklaratat e trajnerit të Serbisë dhe thirrjet raciste të tifozëve serbë.
Trupi drejtues botëror i futbollit ka hapur një hetim për festimet e golave nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri gjatë fitores së Zvicrës ndaj Serbisë në Kupën së Botës. Të dy lojtarët janë me origjinë shqiptare nga Kosova, ku masakra serbe ndaj popullatës shqiptare përfundoi vetëm me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999. Pas shënimit, ata bënë shqiponjën me dy duar, simbolin e shqiponjës me dy koka që gjendet në flamurin shqiptar. Të dy u përballën me sharje nga tifozët e Serbisë.
Në një deklaratë, FIFA tha se komiteti disiplinor ka hapur procedime kundër Xhakës dhe Shaqirit, duke shtuar: “Në lidhje me të njëjtën ndeshje, janë hapur procedurat disiplinore kundër Federatës Serbe të Futbollit për trazira dhe shfaqje të mesazheve politike dhe fyese nga tifozët serbë”.
“Për më tepër, është hapur një hetim paraprak kundër trajnerit të ekipit kombëtar serb, Mladen Krstajiç, për deklaratat e dyshuara të bëra pas ndeshjes së përmendur”, shkruan FIFA.
Nuk është e qartë se çfarë nënkupton hetimi ndaj Krstajiç, por në komentet ndaj gazetarëve serbë të shtunën, ai tha për arbitrin Felix Brych: “Nuk do t’i jepja as karton të verdhë apo të kuq, do ta dërgoja në Hagë. Atëherë ata mund ta dërgonin në gjyq, ashtu siç bënë me ne”.
Pas ndeshjes, e cila u fitua 2-1, trajneri boshnjak i Zvicrës, Vladimir Petkoviç u pyet për festimet dhe tha: “Ju kurrë nuk duhet të përzieni futbollin dhe politikën”.
Ndërkohë, serbët nuk e pranojnë humbjen, veçanërisht pasi ka ardhur nga dy futbollistë me origjinë kosovare. Për këtë federata e futbollit ka ngritur një ankesë zyrtare kundër arbitrit të ndeshjes për një penallti, që sipas tyre nuk është dhënë gjatë ndeshjes./abcnews.al