Fiter Bajrami është festuar sot edhe në Kosovë. Lutja e mëngjesit është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ndërsa myftiu i Kosovës Naim Tërnava dërgoi mesazhe për solidaritet por edhe për përgjegjshmëri të faktorit politik në vend.
Ramadan Shkodra nga Kryesia e Bashkësia Islame e Kosovës theksoi se festa e Bajramit mbetet një moment reflektimi shpirtëror, solidariteti dhe bashkimi familjar, duke vlerësuar edhe angazhimin humanitar të besimtarëve dhe organizatave në ndihmë të nevojtarëve.
” Myftiu gjatë muajit të Ramazanit ka takuar të gjithë liderët dhe u ka apeluar të jenë të përgjegjshëm ndaj institucioneve, sepse vendit i duhet stabilitet dhe institucione funksionale; ne nuk na intereson destabiliteti. Sot e ka shfrytëzuar këtë ditë për t’u kërkuar liderëve tanë të jenë të përgjegjshëm dhe të bëjnë zgjidhjen adekuate për vendin.
Kjo festë ka një karakter shpirtëror; është kurorëzim i një muaji sakrifice. Është traditë tek ne që një pjesë e madhe vizitojnë varrezat për të kujtuar të afërmit; tryeza i bashkon familjet dhe në këtë orë të pasdites vazhdohet me vizita familjare për takime dhe urime.
Dhënia e sadakasë është një traditë e kahershme. Besimtarët, si asnjëherë më parë, kanë dhënë sadaka. Në rastin e festës së Bajramit, shoqata “Bereqeti” ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në këto momente aktivistët e shoqatës janë në terren për të kryer misionin e tyre.” / abcnews.al /


