Rreth 500 traktorë dhe mijëra fermerë kanë mbajtur një protestë të martën në Bruksel, vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, duke i bërë thirrje BE-së që të ndalë presionin ndaj tyre me masat miqësore për klimën. Një fermerë holandez ka deklaruar gjatë protestës se masat janë bërë të padurueshme, raporton AP.
“Ata kanë shtuar aq shumë në pjatën e fermerëve saqë fermerët thjeshtë mund të zhduken”, ka deklaruar Gert Jan Oudijk. Fermerët nga Belgjika, Holanda, Gjermania, Franca dhe Polonia ishin prezent në protestë, mirëpo sindikata kryesore e fermerëve nuk mori pjesë, sepse ajo ishte organizuar nga lëvizjet e ekstremit të djathtë.
Fermerët protestues shpresojnë se mund të heqin paktin progresiv të klimës së Marrëveshjes së Gjelbër nga tavolina dhe t’u jepen fermerëve liritë që kishin, për të vendosur se si të punonin tokën.
Pakënaqësia përqendrohet në kufizimin e përdorimit të plehut organik dhe pesticideve për të detyruar pjesë të tokës bujqësore të mbahen zona të pacenuara të natyrës për të mirën e zogjve dhe bletëve – dhe përfundimisht të popullsisë në përgjithësi.
Një delegacion prej rreth 20 traktorëve u lejua të udhëtonte në qendër të Brukselit dhe të zhvillonte protestën para Parlamentit Evropian. Ndryshe nga demonstratat e mëparshme të ngjashme në Bruksel që nga fillimi i vitit, nuk pati asnjë përplasje.