Fermerët në Kurbin: 7 orë luftuam me flakët, na janë djegur ullinjtë

schedule15:50 - 27 Korrik, 2021

schedule 15:50 - 27 Korrik, 2021

Pas fikjes së zjarrit në Zhejë të Kurbinit pamjet tregojnë se dëmet janë të mëdha. 7 mijë rrënjë ullinj janë shkrumbuar. Banorët thonë se janë përpjekur vetë për të fikur zjarrin dhe nuk u ndihmuan nga zjarrfikësit.

“Më erdhën banorët e fshatarët të më ndihmonin për ta fik. Nuk më erdhi asnjë zjarrfikës të më ndihmonin. Bëmë vetëm 7 orë luftë me flakët. Zjarrfikësit nuk u afruan fare këtu, rruga ishte dhe e nxinte zjarrfikësen po nuk hynë. Më janë djeg disa rrënjë ullinj mbi 50 vjeçar. Të ishte më vigjilent shteti s’mund të them që s’do digjej fare po do kish shpëtuar 70%.”

“Të pafuqishëm ishim me e fik se u përhap shumë. Mua më janë djegur 700 rrënjë ullinj.”

“U munduam kot tani që prisnim prodhim u dogjën.”

“Dëmet janë të mëdha këtu kemi punuar kemi thyer këmbët. S’ka ardhur askush. Zjarrfikëset erdhën kur mbaruam punë vetë.”

 

Zjarri ju ka dëmtuar dhe pemët frutore.

“Kjo është kumbull shih si e ka bërë zjarri”

Ndonëse kanë kaluar 4 ditë nga fikja e zjarrit, asnjë specialist nga bashkia nuk ka shkuar të verifikojë dëmet. Banorët kërkojnë që të dëmshpërblehen.

“30 vjet këtu kemi punuar nga ka dalë shpirti. Vij këtu dhe gjej ullinjtë e djegur. Të na japë ndonjë ndihmë shteti se vetëm 50 mijë lekë pension marr.”

“Ne jetojmë me këto ullinj. Askush nuk ka ardhur të interesohet për djegien e ullinjve tanë asnjë telefon nuk është bërë. Të vijnë të na thonë do t’ju subvencionojmë më para apo rrënjë ullinj të tjera. Ne vetëm me ullinj dhe bujqësi jetojmë.”

“Vetëm këtë vit na kanë bërë dëm 5 a 6 milionë lekë për familje. Të vinë të na shohë shteti, të na dëmshpërblejë siç i paguajmë taksat.”

Zjarri në fshatin Zhejë të Kurbinit u shkaktua nga pakujdesia, teksa një banore po digjte disa shkurre në token e saj dhe flakët dolën jashtë kontrollit. Policia e ka proceduar./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!