Fermerët e Korçës, të shqetësuar për prekjen e patates nga krimbi

schedule15:30 - 18 Shtator, 2019

schedule 15:30 - 18 Shtator, 2019

Fermerët në fshatin Libonik të Korçës janë të shqetësuar për tregun e patates, pasi prodhimi që ata po grumbullojnë është prekur nga krimbi. Por, sipas specialistëve, sëmundja mund të ketë ndikim në uljen e çmimit, por jo rrezik për t’u konsumuar.

Për fermerët e fushës së Korçës që kultivojnë patate ky është viti më i keq. Si nuk ka ndodhur  më parë, pjesa më e madhe e prodhimit është prekur nga krimbi.

Fermerët e Libonikut i gjen në fushë duke mbledhur prodhimin. Por tregu për patatet e dëmtuara nga krimbi, do të jetë e vështirë.

Grumbulluesit e shumicës kanë treguar pak interes duke ofruar çmim, që nuk justifikon as kostot e fermerëve.

Patatja e prekur nuk përbën asnjë rrezik nëse konsumohet, por sëmundja ka ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e cilësisë dhe rrjedhimisht edhe çmimin e tregtimit.

Para një situate të pazakontë, ku sëmundja ka prekur masivisht prodhimin e patates, ata kërkojnë më tepër asistencë nga strukturat e bujqësisë.

Për specialistët  e bujqësisë, shkalla e dëmtimit të patates këtë vit ka qene shume here me e madhe se vitet e kaluara. Kjo është shkaktuar kryesisht nga temperaturat e larta, që kushtëzuan vjeljen e vonë të prodhimit.

Në Korçë rezultojnë të prekura nga krimbi më tepër se 400 hektarë tokë. Dhe ky do të jetë viti më i varfër për fermerët e Libonikut./ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!