Fenomenali Klopp: Ç’është ajo pyetje?! City fantastik, mund të mbyllej 5-3

schedule11:19 - 3 Korrik, 2020

schedule 11:19 - 3 Korrik, 2020

Liverpool u mposht 4-0 nga Manchester City dhe trajner Jurgen Klopp nuk e hedh poshtë skuadrën e tij. Gjermani thekson se futbollistët u sollën mirë në fushë dhe ndeshje mund të përfundonte edhe 5-3, nëse do t’i shfrytëzonin mundësitë e krijuara.

“Pashë një qëndrim të shkëlqyer të skuadrës, pashë luftë. Ne nuk sillemi si dikush që u bë kampion një javë më parë. Na mungonte rrjedhshmëria, kjo është e sigurt. Në disa situata që ishin 50 me 50 ata ishin më të shpejtë se ne në mendje.

Ata i shfrytëzuan rastet e tyre dhe ne jo. City fitoi 100 për qind me meritë, sigurisht, por një 5-3 do të ishte gjithashtu i mundur. Gjithsesi përfundoi 4-0 dhe duhet ta pranojmë rezultatin”, deklaroi Klopp, i cili më pas u pa i nervozuar nga një pyetje e bërë nga Geoff Shreeves, reporteri i Sky Sports.

“Nëse do ta drejtosh të gjithën drejt asaj që ne nuk ishim të përqendruar në ndeshje, atëherë bëje. Më pëlqeu ekipi im dhe si u vendos në fushë. E thashë dhe mendova se ishim të qartë. City provoi që janë një ekip fantastik. A nuk është bukur kur një ekip del kampion dhe City është vërdallë dhe bën këtë lloj futbolli?

City është i jashtëzakonshëm. I kam parë lojërat e tyre dhe nuk kanë bërë një ndeshje të keqe. Edhe kur kanë humbur kanë bërë një futboll të mirë. Në fund të fundit situata është kjo që është. Ne kishim momentet tona. Ju e keni parë ndeshjen në qetësi të plotë, pse më pyet nëse kishim raste të mirë për gol?

Nuk ka sens kjo pyetje. Ne kishim rastet tona, por nuk i shfrytëzuam. Kjo është e vërtetë. Ndoshta nuk ishim të qartë sa duhet, por kishim momente kur mund të shënonim dhe nuk e bëmë këtë. Në futboll, nëse nuk shënon është e vështirë t’i përmendësh rastet. Të gjithë i harrojnë menjëherë. Madje edhe unë i harroj. Gjithçka është OK. Nuk është e bukur, nuk është ajo që kemi dashur. Dua të shoh sjelljen e duhur dhe e kishim, ndaj jam mirë. Rezultatin në fund e pranojmë”, mbylli Klopp. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!