“Fëmijët i kam futur në banesën e shembur nga tërmeti”, qytetarja apel për shtëpi

schedule09:54 - 11 Shtator, 2020

schedule 09:54 - 11 Shtator, 2020

Albina Vuka, banorë në qytetin e Lezhës është një nga personat të cilës tërmeti i 26 nëntorit, i dëmtoi banesën.

Ajo tregon se ka 10 muaj që bashkë me tre fëmijët dhe burrin e sëmurë me karrocë, jetojnë në çadër dhe kontenier, ndërsa shprehet se ende nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti.

Ndërkohë në dy muajt e fundit, Vuka shprehet se për t’i shpëtuar temperaturave dhe vështirësisë që ka qëndrimi në çadër, është detyruar që të futet në shtëpinë e cila është vlerësuar e pabanueshme dhe se duhet shembur.

Sakaq ish-nënkryetarja e bashkisë Lezhë, Alfrida Marku, është njohur nga afër me shqetësimin e kësaj familjeje.

Albina Vuka shprehet se dimri po afron dhe se do jetë akoma më e vështirë për ta, nëse institucionet përkatëse nuk e riparojnë sa më shpejt shtëpinë e saj.

Pjesa nga komunikimi i ish-nënkryetares së bashkisë Lezhë, Alfrida Marku me familjaren Albina Vuka.

Albina Vuka: Unë jam Albina Vuka. Nëna e 3 fëmijëve, bashkëshorti i sëmurë ka 5 vite, është i paralizuar ne karrocë. 10 muaj ka domethënë që ne flemë jashtë. Shtëpinë e kanë nxjerr DS4, të pabanueshme.

Alfrida Marku: Të pabanueshme. Që duhet të rindërtohet.

Albina Vuka: Që duhet të rindërtohet. Do ta bëjmë, ata thonë do ta bëjmë, do ta bëjmë po unë nuk jam duke parë gjë. Prej tërmetit në kontenier e në çadër kemi kaluar, ka 2 muaj kam ndenjur në çadër. Në çadër nuk munda të rri më se është e papërballueshme, çadra se na zë dhe frymëmarrja. I kam nxjerr fëmijët, i kam futur në shtëpi të shembur.

Alfrida Marku: Dhe duke rrezikuar jetën?!

Albina Vuka: Edhe duke rrezikuar jetën e fëmijëve!

Alfrida Marku: Sepse shtëpia është e pabanueshme…

Albina Vuka: Shtëpia është e pabanueshme.

Alfrida Marku: Dhe akoma s’ka asnjë veprim për me nis ndërtimin e saj?!

Albina Vuka: S’shohim gjë, deri në këtë minutë nuk shohim gjë! Që duhet të rindërtohet. Do ta bëjmë, ato thonë do ta bëjmë, do ta bëjmë, po unë s’jam t’u pa.

Alfrida Marku: Pashë një libër aty te dhoma.

Albina Vuka: Po!

Alfrida Marku: Fëmijët mësojnë te shtëpia e dëmtuar?

Albina Vuka: Po, në shtëpi të dëmtuar hyn dhe mëson vajza. Ku do të mësojë? Në kontenier i sëmuri do qetësi, këtu nuk rrihet prej nxehtit, të zihet fryma. Ku ka gjet qetësinë? Në shpi të pabanueshme. Asnjë send nuk kërkoj tjetër, vetëm kërkoj të më bëjnë një grimë shpi e të fus 3 fëmijët brenda dhe burrin e sëmurë brenda. Unë nuk kërkoj gjë prej shtetit tjetër.

/abcnews.al/