FBI: Rusia nuk heq dorë nga përpjekjet për të ndërhyrë te zgjedhjet në SHBA

schedule08:27 - 19 Shtator, 2020

schedule 08:27 - 19 Shtator, 2020

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, paralajmëroi ligjvënësit se Rusia nuk po heq dorë nga përpjekjet për të ndërhyrë tek rezultati i zgjedhjeve të nëntorit. Wray, duke dëshmuar para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare i përshkroi operacionet e Kremlinit si “shumë aktive” në mediat sociale, në mediat shtetërore dhe organe të tjera të lidhura me të.

Ai tha se synimi i këtyre operacioneve është “kryesisht të denigrojnë ish-nënpresidentin Biden dhe atë që rusët e shohin si strukturë anti-ruse”.

Ishte hera e parë që Wray paralajmëronte publikisht për intensifikimin e operacioneve ruse, që kur fushata presidenciale hyri në fazën e saj të fundit. Drejtori i FBI-së tha se është më i shqetësuar për valën e keqinformimeve nga Rusia dhe të tjerë, që kanë në shënjestër votuesit amerikanë.

“Shqetësimi im më i madh është breshëria e keqinformimit dhe amplifikimi i ndërhyrjeve më të vogla kibernetike. Druhem se me kalimin e kohës këto do të kontribuojnë tek mosbesimi i votuesve amerikanë”, tha Wray.

“Një përshtypje e tillë do të ishte perceptim, jo realitet. Mendoj se amerikanët mundet dhe duhet të kenë besim tek sistemi ynë i zgjedhjeve dhe tek demokracia jonë”, shtoi ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!